Ancelotti: Fitojmë edhe për 5 minuta
Me zemër në dorë, Real Madrid u rikthye te fitorja në La Liga duke u dhënë një sinjal të qartë kundërshtarëve se skuadra nuk është dorëzuar ende. Me dy gola të shënuar në pjesën e fundit të takimit kundër Levantes, ekipi merengues kaloi 3-2 Levanten dhe trajneri Carlo Ancelotti mund të flejë i qetë.

"Në pjesën e parë nuk u paraqitëm mirë por në të dytën ndryshuam ritmin. Kur Real Madrid luan mirë mund t’i fitojë ndeshjet për 5 minuta. Ishte shumë e rëndësishme për ne të dilnim me një fitore nga kjo transfertë. Edhe pse nuk zhvilluam një futboll të bukur e merituam fitoren. Kam shumë besim se do të përmirësohemi edhe më shumë sepse skuadra përbëhet nga lojtarë që nuk dorëzohen kurrë", ka thënë Ancelotti.

Morata dhe Jese Rodriguez u shfaqën vendimtarë dhe ky është një lajm i mirë për teknikun italian që ka më shumë alternativa në skuadër.

"Ata nuk kanë nevojë që të më tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë pasi unë kam besim të plotë. Morata shënoi dhe Jese u shfaq disa herë kërcënues për Levanten. Janë dy të rinj shumë entuziastë", përfundoi tekniku i "Los Blancos".

Me këtë fitore, Reali i Madridit në -5 diferencën me Barcelonën që kryeson kampionatin me 24 pikë. /albeu.com/
Shtuar më 06/10/2013, ora 12:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori