Ancelotti i uritur: Dua Championsin e 11-të
Carlo Ancelotti bëri një bilanc të situatës te Real Madrid duke folur për shumë çështje që prekin klubin merengues. Pasi justifikoi startin e dobët të sezonit me gjendjen e dobët fizike të futbollistëve që morën pjesë në Botërorin e Brazilit, italiani e pranoi se ka në dispozicion një sulm të frikshëm, që mund të thyjë të gjitha rekordet.

"Nuk është e lehtë të shënosh kaq shumë gola, por këta lojtarë kanë cilësi të pabesueshme për të finalizuar. Prania e James, që është një lojtar më shumë cilësi, na ndihmon për të kaluar rekorde goleadorësh. Është një punë kolektive megjithatë cilësia e tre sulmuesve tanë është unike", ka thënë 53-vjeçari.

Barcelona, rivalja e përjetshme e "Los Blancos" në futbollin spanjoll, mbetet kundërshtarja më e fortë e Realit për sezonin aktual. Sipas Ancelottit, blaugranat kanë më shumë uri për të fituar se një vit më parë.

"Barcelonën e shoh një ekip më të motivuar krahasuar me sezonin e kaluar. Kanë marrë një trajner të ri si Luis Enrique si dhe shumë përforcime cilësore në të gjitha repartet, pa harruar faktin se edhe Neymar nuk është ai i një viti më parë", vijoi Ancelotti.

Suksesi në "Da Luz", mbetet kujtimi më i bukur për i sezonit të kaluar për italianin, një arritje e bukur që i motivon më shumë "Los Blancos" për Championsin e 11-të.

"Nuk ka kaluar shumë kohë nga suksesi i "La Decima"-s. Kam kujtime të qarta që na ndihmojnë për të fituar të njëmbëdhjetën, që mbetet objektivi ynë. Nuk duhet të harrojmë ato që kemi arritur. Askush nuk ka qenë në gjendje ta fitojë dy herë radhazi Champions League. Vitin e kaluar flitej për fiksimin "La Decima", kurse tani po mendojmë për të njëmbëdhjetën. Rruga është e gjatë dhe ne do të luftojmë deri në fund", është shprehur tekniku i Real Madrid. /albeu.com/

Shtuar më 16/10/2014, ora 17:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori