Ancelotti: Më mirë kjo humbje, sesa në Lisbonë
Pëlqej
Real Madrid humbi jo vetëm ndeshjen e kthimit, por edhe Superkupën e Spanjës që shkoi në anën tjetër të kryeqytetit sepse ishte Atletico që u hakmor për disfatën në finalen e Champions League-s. Në daljen e zakonshme para gazetarëve, Carlo Ancelotti u përball sërish me pyetje rreth argjentinasit Di Maria, i cili për sfidën në Calderon nuk ishte grumbulluar.

"Ishte thjesht një vendim teknik. Nuk kishim nevojë për Di Marian", tha italiani.

Ancelotti më tej bëri analizën e takimit, çfarë shkoi e çfarë nuk shkoi në lojën e madrilenëve.

"Mendoj se humbëm kontrollin, duke luajtur shumë në distancë. Duhet ta zotëronim më tepër topin, siç bëmë në pjesën e parë. Në të dytën situata ishte më e komplikuar, pasi e lamë Atleticon të mbrohej pa u trazuar. Gjithsesi më mirë që humbëm këtë ndeshje sesa finalen e Lisbonës", vijoi Ancelotti

Asgjë shqetësuese për gjendjen e Cristiano Ronaldos. Ancelotti shpjegoi se nuk preferoi ta sforconte portugezin në prag të fillimit të kampionatit dhe prandaj e aktivizoi në pjesën e dytë. Me humbjen ndaj Atleticos, Reali i ka thënë përfundimisht lamtumirë 6 titujve. Italiani sqaroi se ky nuk ishte një fiksim për kampin e tij, madje askush nuk ka folur ndonjëherë për 6 titujt si objektiv.

Në fund, për fillimin e sezonit të ri, Ancelotti me optimizëm tha se "Los Blancos" janë të fortë dhe mund të pretendojnë pa problem në çdo front për trofe, në kampionat e në Champions League.

Ndryshe nga tekniku i Realit, Sergio Ramos pranoi se kjo disfatë erdhi ngaqë skuadra doli e relaksuar më shumë seç duhej përballë kundërshtarëve. Unë isha i pari, deklaroi kapiteni i dytë i skuadrës gjatë autokritikës, duke nënvizuar se humbja e një titulli e bën të trishtueshme këtë ditë për Real Madrid. /albeu.com/
Shtuar më 23/08/2014, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori