Ancelotti optimist: CR7, gati për një javë
Pëlqej
Eliminimin nga "Guinness Cup", me dashje apo pa dashje Carlo Ancelotti ia ka faturuar Cristiano Ronaldos, pasi sipas teknikut italian, Real Madrid nuk është mësuar të luajë pa yllin e saj në fushë. Me një lëvizje krejt të papritur, në takimin me Manchester United, portugezi u shfaq për gati 15 minuta në lojë, por për Ancelottin, Ronaldo nuk është ende gati.

"Është krejt normale kjo që po kalojmë, pasi skuadra nuk është mësuar me mungesën e Ronaldos. Në kushtet e tanishme nuk mund të konsiderohemi ende gati. Kemi lojtarë që kanë ardhur vetëm një javë më parë dhe nuk janë akoma në kushtet optimale. Ronaldo luajti nga fundi i takimit, që do të thotë se gjendja e tij po përmirësohet. Besoj se pas një jave stërvitje me skuadrën, ai do të jetë gati për ndeshjen e parë të sezonit", u shpreh trajneri "Los Blancos".

Ancelotti pohoi se për Superkupën e Europës ndaj Sevillas, në fushë nuk pritet vetëm luzitani, por edhe dy prurjet e reja, James Rodriguez e Toni Kroos.

Në lidhje me disfatën ndaj United, trajneri i "Los Blancos" rrudhi buzët, megjithatë vlerësoi atmosferën e zjarrtë në Michigan, ku 109 mijë tifozë vendosën rekordin e ndeshjes më të ndjekur të futbollit në Amerikë.

"Humbja nuk na lumturon, por unë jam i bindur se do të luajmë me tjetër intensitet në Superkupë. Atmosfera ishte fantastike, edhe pse nuk jemi mësuar të luajmë para kaq shumë tifozësh. Pavarësisht rezultatit, ky takim ishte pozitiv për të parë gjendjen e lojtarëve", përfundoi tekniku italian. /albeu.com/
Shtuar më 03/08/2014, ora 09:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori