Ancelotti-Simeones: Te Reali nuk është vetëm Di Maria
Pëlqej
Si zakonisht, Carlo Ancelotti ishte i qetë gjatë gjithë takimit në "Santiago Bernabeu", por kurrsesi nuk mund ta mbante veten pasi dëgjoi kolegun e tij rival të thoshte se Di Maria është futbollisti më i mirë në radhët e Real Madrid. Argjentinasi u kthye për një moment në kryefjalën e konferencës për shtyp të italianit, teksa i ktheu përgjigje direkt dhe pa vonuar trajnerit Diego Simeone.

"E kam thënë gjithmonë se Di Maria është një lojtar i Realit, të cilin mund ta përdor në lojë, kur të dua dhe si të dua. Ai është njëri nga më të mëdhenjtë që kemi në skuadër. Duke e cilësuar si më të mirin, Simeone ka harruar disa të tjerë. Kështu për shembull ka harruar fituesin e Topit të Artë apo Gareth Bale, që shënoi në finalen e Lisbonës. Jam me fat që kam kaq shumë futbollistë të mëdhenj në skuadër", u shpreh italiani.

Një mesazh qetësues në vazhdim në lidhje me gjendjen e Cristiano Ronaldos, ndërkohë që e vlerësoi me nota pozitive lojën e skuadrës.

"Në përfundim të pjesës së parë, Cristiano thjesht u ndje i lodhur, asgjë serioze. Me ekipin në përgjithësi jam i kënaqur sepse bëri një lojë të mirë, me ritëm të jashtëzakonshëm. Na u mohua një penallti e pastër, por tani nuk ia vlen të diskutojmë", u shpreh Ancelotti.

Për ndeshjen e kthimit, Ancelotti pranoi se Atletico ka një avantazh të lehtë, megjithatë sipas tij, nëse Reali luan njëlloj si në Bernabeu, atëherë Superkupën e ka të sigurt. Në lidhje me debatin rreth portës madrilene, tekniku italian përsëriti se e ka marrë vendimin se kush do të jetë titullar gjatë sezonit, por ende nuk preferon të zbardhë emrin e gardianit të përzgjedhur. /albeu.com/

Shtuar më 20/08/2014, ora 09:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori