Andrea Pirlo rikthehet te Milan?
Pëlqej
Ndonëse kaloi nën zë, dy nga protagonistët e djeshëm të Milanit, Alessandro Matri dhe Ricardo Montolivo, i kanë bërë një ftesë të hapur administratorit Adriano Galliani për të menduar rikthimin e Andrea Pirlos në "Milanello". "Diferenca mes nesh dhe Juventusit mund të jetë Andrea Pirlo. Ai është lojtari që mbase na mungon në fushë. Nëse do të isha drejtues klubi, do ta rimerrja", u shpreh ish-sulmuesi bardhezi, që përjetoi dy sezone me Pirlon dhe kapiteni milanist, që me të në kombëtare ndan së bashku dhe me sukses këtë repart.

Kaq ka mjaftuar që media italiane të nisë të aludojë për një rikthim të bujshëm të 34-vjeçarit, me parametër zero, duke kujtuar se më 30 qershor skadon edhe kontrata e numrit 21 me klubin e presidentit Andrea Agnelli. Natyrisht që kjo hipotezë nuk duket shumë e lehtë, me Andrea Pirlon që ëndërron një vazhdim karriere në Angli ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por fundja në merkato asgjë nuk është e pamundur.

Gjithsesi, gjithçka do të varet edhe nga Juventusi, i cili në muajt e parë të vitit 2014 do të ketë një takim me lojtarin për të folur mbi një rinovim të mundshëm, edhe pse nga Spanja sigurojnë se diçka e tillë nuk do të ndodhë. Arsyeja mban emrin Xabi Alonso, fantazistit të Real Madrid që gjithashtu është në skadencë kontrate me klubin spanjoll në verën e ardhshme. 32-vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit Carlo Ancelotti dhe Juventusi sheh te basku zëvendësuesin ideal të Andrea Pirlos, me të cilin ka kohë që ka nisur kontaktet.

Por, pas disa refuzimesh, duket se tashmë vetë Alonso është bindur që të pranojë ofertën bardhezi, 4.5 milionë euro në sezon për të paktën dy vitet e ardhshme, ndonëse me një kusht. Andrea Pirlo duhet të largohet nga Juventus pasi, ashtu si vetë italiani në Torino, kërkon garanci teknike, një rol titullari të padiskutueshëm dhe jo një alternativë e Pirlos dhe anasjelltas.

Fundja dy "gjela" në një kotec nuk mund të qëndrojnë, pa harruar faktin se Paul Pogba po shndërrohet në një lojtar të pazëvendësueshëm për trajnerin Antonio Conte, ndaj me francezin dhe Pirlon, ai do të kishte "rivalë" brenda ekipit për rolin e titullarit.

Prandaj, që Xabi Alonso të veshë bluzën e Juventusit, Andrea Pirlo duhet të largohet tek Milan, klub i cili hoqi dorë prej tij tri vite më parë dhe që është gati që t’i japë të paktën një vit kontratë fantazistit që u largua pas 10 sezonesh. /albeu.com/



Shtuar më 08/10/2013, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori