Arbitrim i dobët në Milan-Roma, pezullohen Giacomelli e Nasca
Arbitrimi në Itali kapi nivelet më të ulëta mbrëmjen e djeshme në sfidën mes Milanit dhe Romës, pasi Giacomelli në fushë dhe Nasca në VAR akorduan dy penallti qesharake, nga një për çdo skuadër, duke shkaktuar reagime të ashpra.

Gjithçka nisi në minutën e 69’ kur arbitri Giacomelli akordoi një penallti për Romën, për një faull inekzistent të Bennacer ndaj Pedros, por edhe pse futbollistët e Milanit këmbëngulën gjatë që arbitri të rishikojë aksionin në VAR, kjo gjë nuk ndodhi.

Këtu nisin dyshimet edhe për arbitrin Nasca në sallën VAR, i cili nuk i kërkoi Giacomellit të shkojë e të shohë episodin. Më pas pati një tjetër moment, kur Ibrahimovic u ndëshkua me karton të verdhë në mënyrë të padrejtë, pas një dyluftimi ajror ku kishte edhe një prekje me dorë nga mbrojtësi Mancini.

Kulmi arriti në minutën e 78’, kur pas një aksioni të Calhanoglu në zonën e Romës, Mancini provon ta ndalë dhe Giacomelli akordon penallti për Milanin, por pamjet konfirmonin se kontakti ishte thuajse inekzistent dhe penalltia më tepër se bujare.

Më pas deri në fund arbitri Giacomelli humbi toruan dhe vërshëlleu një sërë faullet qesharakë në favor të të dy skuadrave, megjithatë seksioni i arbitrave në Itali ka marrë masa ndaj tij dhe arbitrit të VAR-it, Nasca.

Kështu është vendosur që si Giacomelli ashtu edhe Nasca të mos arbitrojnë më për një muaj në kampionatin italian, si masë ndëshkimore për gabimet e rënda në një sfidë që ishte më e rëndësishmja e javës dhe njëkohësisht imazh për Serinë A.

Kujtojmë që Giacomelli është pezulluar për dy javë edhe sezonin e kaluar, pasi gaboi rëndë në një përballje mes Napolit e Atalantës dhe për më tepër, ashtu si mbrëmë, refuzoi t’u referohet pamjeve të VAR-it për të korrigjuar vendimin e tij.
Shtuar më 28/10/2020, ora 08:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori