Argjentina, Martino: S'kam asgjë kundër Tevez-it
Pëlqej
Trajneri i Argjentinës, Gerardo Tata Martino insiston se mes tij dhe Carlos Tevez nuk ekziston asnjë problem. Sulmuesi i Juventusit ka realizuar 4 gola në 3 ndeshjet e fundit me skuadrën bardhezi por pavarësisht performancës së tij të shkëlqyer në nivel klubesh, "Apashi" nuk u grumbullua nga numri 1 i stolit të La Selecion as për dy sfidat miqësore të muajit tetor me Brazilin dhe Hong Kongun.

Tevez nuk u thirr asnjëherë në kombëtare nga paraardhësi i Martinos, Alejandro Sabella, por gjithsesi Tata këmbëngul se nuk është kundër rikthimit të 30-vjeçarit në përfaqësuesen "Albiceleste".

"Kur unë mbërrita këtu ju gazetarët më pyetët nëse kisha ndonjë problem me ndonjë lojtar argjentinas që luan nëpër Botë dhe unë ju thashë jo, kështu që edhe në këtë moment po ju përgjigjem sërish njësoj. Unë Carlos Tevezit i kam thënë që nëse bën mirë te klubi ku luan mund të grumbullohet në kombëtare në çdo moment, dhe është e vërtetë që ai po ecën me hapa shumë të lartë në këtë sezon, por për momentin unë kam parë të arsyeshme që Tevez të jetë pjesë e kombëtares", është shprehur Gerardo Martino.

Sulmuesi i Interit Mauro Icardi ishte një tjetër lojtar që e ka nisur mirë sezonin dhe u la jashtë nga Martino. Gjithsesi ish trajneri i Barcelonës e ka një opinion edhe për këtë çështje duke i dhënë edhe një këshillë bomberit zikaltër.

"Detyra ime është të analizoj çdo futbollist që është me kombësi argjentinase. Nëse do të më jepej shansi t’i thoja dicka Icardit, do ta këshilloja atë të përqendrohet vetëm te futbolli i luajtur dhe ta lërë disi mënjanë jetën private, në kuptimin që mos ta ekspozojë edhe aq shumë përpara mediave, pasi dicka e tillë i bën dëm vetëm atij", përfundoi Martino.

Miqësoren e parë Argjentina do ta ketë me Brazilin në Pekin më 11 tetor, ndërsa pas tre ditësh me Hong Kongun. /albeu.com/
Shtuar më 23/09/2014, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori