Argjentina, Segura: Messi nuk është "Shefi"
Pëlqej
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Luis Segura, hodhi poshtë zërat se kapiteni i kombëtares, Liones Messi, zgjedh ndeshjet miqësore në të cilat dëshiron të luajë apo të pushojë. Sipas tij, nuk ekziston asnjë çështje e tillë, pasi askush nuk mund të diktojë vendimet në përfaqësuesen latino-amerikane.

"As Messi dhe as Barcelona, e po ashtu as familja e Messit nuk mund të japin urdhër në kombëtare. Messi nuk luajti në miqësoren me Gjermaninë për shkak të një problemi muskular dhe për këtë jemi informuar deri në detaje nga mjeku i Barcelonës", ka thënë numri një i Federatës argjentinase.

Sipas numrit një të futbollit argjentinas, prania e Messit në kombëtare e bën fantastike skuadrën e Tata Martinos.

"Po e përsëris, Messi nuk bëri asnjë kërkesë për të mos luajtur ndaj Gjermanisë. Ne besojmë shumë tek ai dhe fakti që e kemi në skuadrën tonë na bën shumë të lumtur. Me Messin Argjentina është një ekip fantastik", vijoi Segura.

Kreu i AFA-s e mbyll deklaratën e tij duke siguruar se ylli i Barcelonës do të jetë në dispozicion të Tata Martinos që në ndeshjen e ardhshme. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2014, ora 14:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori