Argjentinë - Lituani, çifti i fundit çerekfinal
Luis Scola ka udhëhequr Përfaqësuesen e Argjentinës drejt fitores kundër Brazilit në ndeshjen derbi të 1/8 së finales të Kampionatit Botëror "Turqia 2010". Scola shënoi 37 pikë për të ndihmuar Argjentinën të shënojë fitore me rezultatin e ngushtë, 93:89. Scola në këtë fitore ka pasur edhe ndihmën e Carlos Delfinos (20) dhe Hernan Jasenit (15). Te Brazili më efikasit ishin Marcelo Huertas me 32 pikë dhe Leandro Barbosa me 20 sosh, por që nuk mjaftuan për të shkuar tutje.

Në çerekfinale, Argjentina do të përballet me Përfaqësuesen e Lituanisë që eliminoi Kinën (78:67). Më i merituari për këtë fitore të lituanëve ishte Linas Kleiza, i cili ndeshjen e përfundoi me 30 pikë të shënuara, nëntë kërcime dhe dy asistime. Atij në ndihmë i dolën edhe Martynas Gecevicius (14) e Mantas Kalnietis (11). Njëherësh këta basketbollistë ishin të vetmit te ekipi i Lituanisë me pikë dyshifrore.
Për Lituaninë kjo është fitorja e gjashtë rresht në këtë botëror dhe sikurse SHBA-ja dhe Turqia fazën grupore e ka përfunduar pa asnjë humbje.
"Në këtë fazë ku nuk ka ndeshje të lehta nuk është me rëndësi rezultati apo diferenca me të cilën shënon fitore. Kina ka luajtur shumë mirë dhe na i vështirësoi punët. Lideri ynë Kleiza ka luajtur shumë mirë dhe te ne është një faktor shumë i rëndësishëm", ka thënë trajneri i Lituanisë, Kestutis Kemzura.

Te Përfaqësuesja e Kinës u shqua Wei Liu me 21 pikë, ndërsa ylli i NBA-së Li Jianlian, ndeshjen e mbylli me vetëm 11 pikë.
"Ekipi im luajti me zemër dhe iu përmbajt detyrave të parashtruara, por thjesht pësuam humbje sepse nuk ishim me fat. Kjo është arritje e madhe për ekipin tonë dhe jam shumë krenar për lojtarët e mi. Tash kemi lojërat aziatike dhe besoj se me këtë përvojë që e kemi nuk do të jetë problem i madh për ne t'i kalojmë me sukses", ka thënë trajneri i Kinës, Bob Donewald.
Shtuar më 07/09/2010, ora 22:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori