Armend Dallku, trajneri që i kishte munguar Prishtinës
FC Prishtina në vitet e fundit nuk ishte rehatuar me trajnerë, ani pse në krye të skuadrës bardhekaltër erdhën emra të mirënjohur si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Klubi kryeqytetas duket se është rehatuar me bankinën, të cilën bordi i klubit ia ka besuar ish-futbollistit të mirënjohur Armend Dallku, shkruan sot Gazeta "Zëri". Tri ndeshje, tri fitore, nëntë pikë të arkëtuara. Këto janë rezultatet të cilat i ka arritur Prishtina nën drejtimin e ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare

Tri ndeshje, tri fitore, nëntë pikë të arkëtuara. Këto janë rezultatet të cilat i ka arritur Prishtina nën drejtimin e trajnerit të ri të ekipit, Armend Dallku.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar vetëm pak muaj më parë së bashku me futbollistët që tashmë i ka nën menaxhim e ka kërkuar titullin kampion në Kosovë.

Për dy vjet me radhë Dallku, që ka qenë kapiten i Prishtinës, nuk e arriti një gjë të tillë, duke dështuar në xhiron e fundit të kampionatit, një herë ndaj Dritës e një herë ndaj Feronikelit.

Dallku, i cili e ka një karrierë shumë të pasur si futbollist, duke luajtur mbi 60 ndeshje edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, ëndrrën titull me Prishtinën e kërkon pak centimetra larg fushës së gjelbër, në rolin e trajnerit në klubin më të madh kosovar.


Nisja është mbresëlënëse në misionin e ri. “Normalisht se secili trajner që vjen në krye të Prishtinës e kërkon maksimumin. Prishtina është klub i madh dhe ka kontingjent shumë të pasur të futbollistëve. Mendoj se e ka kontingjentin më të pasur në futbollin e Kosovës. Dihet se synimet janë që gjithmonë të përfundojë në krye të renditjes. Ne si staf teknik së bashku edhe me futbollistët do ta japim maksimumin në mënyrë që të arrijmë titullin kampion, i cili mungon tash e disa vite për Prishtinën”, ka deklaruar Armend Dallku, të hënën, në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Image
Si futbollist ishte temperament, si trajner i qetë

Dallku, krahas kontributit të madh që e ka dhënë për Prishtinën, do të mbahet mend edhe për temperamentin e tij në fushë. Ai gjithnjë e ka kërkuar maksimumin nga bashkëlojtarët. Në ndeshjet e para si trajner i Prishtinës Dallku po duket shumë më i qetë.

Ai e sqaron në këtë mënyrë këtë fakt. “Kur je brenda në fushë duhet një lloj gjenerali që t’i japë zemër skuadrës. Tashmë si trajner duhet të punoj me kokë të qetë, pasi që një gabim i vogël mund t’i kushtojë ekipit”, vlerësoi Armend Dallku, i cili përpos Vushtrrisë dhe Prishtinës në karrierën si futbollist ka luajtur edhe për skuadrën e Elbasanit në Shqipëri, derisa vitet e arta në karrierë i kishte në Ukrainë te Vorskla Poltava, ku luajti për 11 vjet (2005-2016).

Sfida e fundit, emocion i veçantë

Dallku e mori drejtimin e Prishtinës pas xhiros së katërt, duke e zëvendësuar trajnerin Bylbyl Sokoli, i cili u largua vetëm pas dy ndeshjeve nga drejtimi i Prishtinës. Ai vinte me një minipërvojë si trajner, pasi që e ka drejtuar ekipin e juniorëve të Prishtinës. Nisja nuk ishte e lehtë, pasi që Prishtina u përballë me Gjilanin, një ndër skuadrat më të përforcuara para nisjes së kampionatit.

Pas fitores me rezultat 2:1 skuadra kryeqytetase e mposhti Dukagjinin e Klinës me shifrat 2:0, ndërkohë që të dielën arriti fitore të thellë ndaj Vushtrrisë në stadiumin “Ferki Aliu” në Vushtrri, me rezultat 3:0.

Sfida e Vushtrrisë ishte emocionuese për Dallkun për një arsye të fortë. “Në Vushtrri e kam nisur karrierën dhe ishte një emocion shumë i veçantë për mua në atë takim. Pasi hyra në stadium më janë sjellë në kokë shumë gjëra, pasi aty ka nisur gjithçka në futboll për mua. Më vjen shumë keq për Vushtrrinë, që gjendet në këtë pozitë në tabelë. Mirëpo mund të them me bindje se Vushtrria do të jetë shumë shpejt në rrugën e duhur, pasi e ka një pronar shumë serioz dhe me pak ndërhyrje në afatin kalimtar të janarit do të dalë nga kriza”, vlerësoi Armend Dallku.

Januzi e Haliti nuk kanë lëndime serioze

Prishtina në këtë fillim të kampionit është përballur edhe me lëndime. Lojtarë që konsiderohen si shtylla të ekipit kanë pësuar lëndime.

Në dy ndeshjet e fundit, për shkak të lëndimit, mungoi sulmuesi Ahmed Januzi, që konsiderohet si sulmuesi kryesor i ekipit. Ndaj Vushtrrisë mungoi edhe mbrojtësi Ahmet Haliti, gjithashtu i dëmtuar. “Januzi dhe Haliti nuk kanë lëndime serioze dhe do të jenë të gatshëm për sfidën e radhës. Ne nuk kemi dashur të rrezikojmë dhe t’i inkuadrojmë në ndeshjen e fundit. Prishtina nuk bazohet dhe nuk identifikohet në individë, por në grup dhe ky fakt është shumë i rëndësishëm”, pohoi Armend Dallku.

Premton se do t’u japë hapësirë futbollistëve të rinj

Armend Dallku në ndeshjen e fundit ndaj Vushtrrisë ia dha rastin futbollistit të talentuar Trimor Selimi, i cili debutoi në fanellën bardhkaltër. “Trimor Selimi debutoi në ndeshjen e fundit, mirëpo ai nuk do të jetë lojtari i vetëm që do ta ketë rastin nga lojtarët e rinj në ekip. Në stërvitje me ekipin e parë do të jenë edhe disa lojtarë nga skuadra e juniorëve, në mënyrë që të punojnë në mënyrë profesionale. Jam me fat, pasi i njoh juniorët, të cilët i kam stërvitur vetë”, premtoi Armend Dallku. “Ka shumë futbollistë të talentuar në ekip dhe për këtë arsye jam shumë i lumtur”, shtoi Dallku.

Lufta për titull

Kampionati i sivjetmë në futbollin e Kosovës pritet që të jetë shumë i fortë sa i përket luftës për titull.

Shumë skuadra tashmë e ka vënë kandidaturën për pozitën e parë.

Dallku thotë se është herët të flitet për titull, megjithatë ai tashmë i ka në kokë disa rivalë.

“Mendoj se është herët të flitet për titull. Gjithsesi, disa skuadra janë që e kërkojnë vendin e parë, si Drita, Gjilani, Feronikeli, Ballkani e Llapi. Mendoj se do të jetë një kampionat shumë interesant”, potencoi Armend Dallku.

Pas xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës në futboll tabelës i prin skuadra e Feronikelit me 15 pikë të tubuara. Drita, Llapi dhe Ballkani ndodhen më poshtë me nga 14 pikë të tubuara, kurse Prishtina zë pozitën e pestë me 13 sosh.



/Zeri.info/
Shtuar më 01/10/2019, ora 13:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori