Arrestimi i Platini, reagon ish-presidenti i FIFA-s: Surprizë e madhe
Lajmi që tronditi botën e futbollit ditën e sotme ishte arrestimi i ish-presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, me akuzën se ka ndikuar në zgjedhjen e Katarit si vend organizator për Botërorin e vitit 2022.

Teksa çështja gjendet në hetim nga autoritetet franceze, prapaskenën rreth kësaj ngjarjeje e rrëfen ish-presidenti i FIFA-s, Sep Blater.

Duke folur për radion "RTL" në Francë, ky i fundit shprehet se Platini i kishte komunikuar se dëshira e vetë presidentit të Francës në atë kohë, Nikolas Sarkozi, kishte qenë që Katari të shpallej fitues.


"Për mua, ky arrestim është një surprizë e madhe. Në 23 nëntor 2010, nëntë ditë para votimit për Kupën e Botës 2022, Platini më telefonoi dhe më tha se kishte biseduar edhe me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi. Ky i fundit, si dhe miq të tjerë të tij, kishin kërkuar që të votohej për Katarin si fitues, sepse kështu kishte interesa ekonomike kombëtare shteti i Francës.

Më tej, e pyeta Platininë nëse presidenti i Francës e kishte detyruar që ta votonte me forcë, po ma mohoi diçka të tillë. ‘Jo, nuk më ka detyruar, por kur kreu i shtetit shpreh një dëshirë, unë i them që do shohim çfarë mund të bëjmë’, më tha Platini.

Dhe kështu, katër vota të siguruara nga Mishel arritën që të kthenin gjithçka në favor të Katarit, dhe SHBA-të e humbën garën", tregon Blater.
Shtuar më 18/06/2019, ora 22:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori