Arrihet marrëveshja mes Barcelonës dhe Atleticos për Griezmann
Dy klubet spanjolle – Barcelona dhe Atletico Madrid – kanë arritur marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të nisur para disa muajsh rreth transferimit të sulmuesit francez, Antoine Griezmann.

Barcelona ia ka paguar 15 milionë euro Atletico Madridit si pjesë e një marrëveshjeje për paqe në lidhje me transferimin e Antoine Griezmann gjatë afatit kalimtar të verës, raporton El Mundo.

Sipas po të njëjtin medium, Barcelona do të ketë të drejtë të negociojë për pesë lojtarë të Atletico Madridit, përfshirë këtu Saulin dhe Jose Gimenezin. Këto të drejta s’janë obligim për blerje, mirëpo Barcelona e ka opsionin për ta barazuar çfarëdo oferte që i vjen Atleticos për këta lojtarë.

Konflikti

Më 1 korrik, klauzola e shkëputjes së kontratës të Antoine Griezmannit me Atletico Madridin ra nga 200 në 120 milionë euro dhe rrjedhimisht Barcelona e pagoi këtë shumë për ta blerë francezin, gjë të cilën klubi madrilen e kundërshtoi.

Atletico Madridi pretendon se Barcelona i kishte nisur bisedimet me futbollistin francez në një kohë kur klauzola për shkëputjen e kontratës së tij ishte 200 milionë euro e jo 120 milionë dhe thotë se tani katalonasit ia kanë borxh edhe 80 milionë euro të tjera për transferimin e Griezmannit.

Për shkak të kësaj marrëveshje, Atletico e paditi Barcelonën në Federatën e Futbollit të Spanjës duke pretenduar se katalonasit e kishin kontaktuar francezin kur ai kishte ende kontratë me madrilenët, që është kundër rregullave të FIFA-s për transferime.

Megjithatë, kur e kishin bërë këtë ankesë, madrilenët kishin besuar se klubi katalonas do të gjobitet më shumë sesa 300 euro për shkeljen e neneve 88 dhe 126 të Kodit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Spanjës.
Shtuar më 22/10/2019, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori