Arsenal publikon letrën e Mustafit për tifozët: Ndonjëherë nuk ju kuptoj!
Futbollisti gjerman me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi nuk është kursyer, teksa i është përgjigjur kritikave të tifozëve të Arsenalit.

Kritika që kanë vënë në pikëpyetje talentin e qendërmbrojtësit dhe rritur thashethemet për një largim të tij nga "Emirates Stadium".

Përmes një letre publike, e postuar edhe në faqen zyrtare të klubit anglez, Mustafi thotë se nganjëherë s’i ka kuptuar kritikat që ka marrë.

"Ne jemi vetëm njerëz dhe nuk mund ta ndalojmë trurin. Kur t’i kesh lexuar kritikat të mira apo të këqija ato të mbesin në mendje".

"Kur unë erdha në Arsenal në vitin 2016, sezoni sapo kishte filluar. Unë erdha dhe luajta ndeshjen time të parë kundër Southampton. Fituam në minutën e fundit mendoj se në atë ndeshje shënuam nga pika e penalltisë dhe pastaj luajta kundër Paris Saint-Germain në transfertë në Ligën e Kampionëve dhe pastaj në shtëpi kundër Chelsea".

"Ato ishin ndeshje të vështira, por unë e dhashë më të mirën nga vetja dhe ne luajtëm shumë mirë në të gjitha ato ndeshje. Ne barazuam në Paris, fituam kundër Chelseat dhe patëm shumë ndeshje të mira pastaj. Ishte një periudhë shumë e mirë sepse ishte më e lehtë për mua të përshtatem kur gjërat po shkonin mirë, kur skuadra ishte duke fituar dhe kur ti e di se mund të jesh pjesë e një skuadre".

"Natyrisht se dëshiron ta fillosh mirë, është e vështirë të mos emocionesh. Në fund të fundit, gjërat po shkojnë mirë për një arsye dhe ti duhet të vazhdosh të punosh dhe të përmirësohesh. Vetëm kështu mund të vazhdosh duke i fituar ndeshjet. Kjo është një gjë e rëndësishme".

"Në atë periudhë nuk duhet të mendosh: “Tani gjithçka do të jetë e lehtë” dhe pastaj të ndalësh së bëri atë që po e bëje më parë. Mendoj se gjëja kryesore është të vazhdosh ta bësh punën tënde, të japësh gjithçka nga vetja, të vazhdosh të tentosh të përmirësohesh dhe pastaj mund të vazhdosh të fitosh ndeshje".

"Kur i ke tifozët në anën tënde, kjo të jep më shumë vetëbesim. Si mbrojtës, është gjithmonë e vështirë sepse je gjithmonë nën presion, veçanërisht kur nuk e ke topin dhe kundërshtarët po sulmojnë. Çdo gabim i vogël mund të çojë te një gol".

"Për njerëzit që shikojnë nga jashtë, ata e shohin vetëm një skenë të veçantë kur ndodh gabimi dhe pastaj zemërohen me ty. Ti nervozohesh me veten sepse nuk dëshiron të bësh gabim sërish. Ishte e vështirë ta përballoj të gjithë presionin në këtë kohë".

"Si qendërmbrojtës, ti ke gjithmonë shumë presion, por pastaj, kur bën gabim, presioni shtohet edhe më shumë. Nuk është gjithmonë lehtë ta përballosh presionin. Si qendërmbrojtës duhet ta bësh punën tënde në mënyrë të përsosur vetëm për ta pasur një ndeshje normale".

"Kur i fiton të gjitha duelet, kur fiton gjithçka në fushë, por pastaj e bën një gabim dhe dënohesh për të, kjo e shkatërron të gjithë punën që e ke bërë më parë. Kjo është diçka që e bën punën e qendërmbrojtësit kaq të vështirë. Këto gjëra ndikojnë. Pas ndeshjes, natyrisht që je i zhgënjyer sepse askush s’bën me qejf gabime, por kur unë e bëj një dhe në marrim gol shkaku im , unë shkoj në zhveshtore dhe mbes i zhgënjyer që i lash në baltë bashkëlojtarët. Kjo është gjëja e parë".

"Ti i shikon lojtarët e tjerë dhe mendon: “Në rregull, ata punuan aq shumë dhe një gabim i yni na i kushtoi ndeshjen”. E fajëson veten shumë. Unë jam mjaft i ashpër me veten kur bëj gabime. Kjo është diçka që duhet të mësosh se si ta përballosh sepse ditën tjetër kthehesh menjëherë në stërvitje dhe duhet të përqendrohesh të mos e bësh të njëjtin gabim sërish".

"Kjo është diçka që më ka ndikuar mua, por unë jam përballur me këtë sepse nuk desha t’i bëj gabimet e njëjta sërish. Unë doja të vija të stërvitje dhe ta dëshmoj se do të jem këtu për ata, do të jem këtu për skuadrën, do të jem këtu për tifozët".

"Ti duhet të përballesh edhe me rrjetet sociale. Aty, është e vështirë të ballafaqohesh edhe kur gjërat po shkojnë mirë, ndërsa është edhe më e vështirë kur shkojnë keq. Kur situata është e mirë, është e lehtë t’i lexosh komentet dhe të të pëlqejnë. Kjo të jep vetëbesim, por duhet të jesh i kujdesshëm të mos e teprosh sepse duhet të qëndrosh profesionist".

"Pastaj, kur gjërat nuk po shkojnë mirë, natyrisht që ty nuk të pëlqejnë gjërat që i lexon. Nuk pajtohesh me shumë komente, kështu që kjo ta bën jetën më të vështirë. Është shumë më e lehtë kur gjërat shkojnë mirë sepse kur lexon komente që s’të pëlqejnë, ti duhet të dalësh dhe të luash dhe pastaj i ke ato komente në mendje".

"Unë tentoj t’i bllokoj këto gjëra pak. Nuk isha aq aktiv në rrjete sociale dhe nuk i lexoja komentet, nuk shqetësohesha për rrjetet sociale, unë thjesht doja të kthehesha në fushë dhe ta jepja maksimumin nga vetja sepse e dija që për momentin s’po luaja siç doja".

"Unë flisja vetëm me njerëzit përreth vetes, si familjen, prindërit, gruan, fëmijët, dhe ata më ndihmuan të harroj gjithçka. Në mëngjes, kur vija në stërvitje, unë përqendrohesha vetëm në stërvitje dhe pastaj kthehesha në shtëpi për të kaluar kohë me familjen time. Unë tentoja të mos lexoja shumë komente të njerëzve".

"A ndihem se më kishin cak mua nganjëherë? Nuk do të thosha kështu sepse është shumë e vështirë ta thuash ashtu. Nuk mendoj se bota rrokulliset rreth meje ose që unë jam në qendër të botës. Por, nganjëherë ishte e vështirë t’i kuptoj ato komente sepse unë fajësohesha edhe për ndeshjet e këqija në të cilat nuk luaja".

"Bëhet pak irrituese kur i lexon ato komente, por, në fund të fundit, jam profesionist dhe duhet të mbetem i tillë. Nganjëherë ti lexon komente dhe nuk pajtohesh aspak me to dhe dëshiron t’u thuash diçka, por pastaj e lë sepse dëshiron të tregohesh profesionist. Ditën tjetër ke stërvitje kështu që duhet ta marrësh të gjithë atë energji dhe ta përdorësh në stërvitje dhe të tentosh të përmirësohesh, e jo vetëm në rrjete sociale".

"Një gjë që ma ka thënë bashkëshortja më ka ndihmuar: “Ti gjithmonë duhet ta mbash mend se nga vjen dhe ku ke arritur tani sepse nuk ishte vetëm punë fati. Ke bërë punë të madhe, ke marrë vendime të vështira, ke djersitur shumë derisa ke ardhur këtu. Kështu që ka një arsye pse ti je këtu në nivelin më të lartë, kështu që vetëm vazhdo ta bësh atë që po e bën tani".

"Këtë sezon unë kam qenë duke luajtur shumicën e kohës në Ligën e Evropës dhe në ndeshjet e kupave, kështu që jam përqendruar vetëm ta bëj punën time dhe të tentoj t’i bëj gjërat që m’i ka kërkuar stafi i trajnerëve, për t’ua dëshmuar se jam gati për skuadrën. Pavarësisht se çfarë po ndodh, unë jam këtu duke punuar për t’u bërë lojtari që dua të jem apo edhe më i mirë".

"Unë jam përqendruar te vetja në të vërtetë dhe kam dhënë gjithçka çdo ditë në stërvitje. Kur të shkoj në shtëpi, dua të jem në gjendje t’i them familjes: “E dhashë maksimumin në stërvitje sot dhe jam gati për çfarëdo ndeshje. Jam gati ta jap 100 përqindëshin tim”. Kjo është gjëja kryesore për mua. Unë vetëm dua të përqendrohem të mos bëjë gabime, të jem i përqendruar për 90 minuta dhe ta rifitoj të gjithë vetëbesimin që e kisha kur erdha këtu".

"Mendoj se edhe tifozët e kanë parë këtë gjë. Unë vetëm e ul kokën kur të gjitha kritikat drejtohet te unë dhe punoj shumë. I mbylli sytë dhe përqendrohem te puna ime dhe mendoj se tifozët e vlerësojnë këtë. Unë thjesht po punoj jashtëzakonisht shumë për t’u kthyer sërish".

"Mendoj se tifozët e kanë parë në ndeshjet e fundit në të cilat kam luajtur se unë jam një person që gjithmonë e kam dhënë maksimumin në fushë. Natyrisht, kam bërë gabime si të gjithë të tjerët sepse jemi profesionistë, por pikë së pari jemi njerëz".

"Askush s’bën gabime për qejf, është thjesht diçka që ndodh. Unë gjithmonë kam dashur të fitoj dhe kam dhënë gjithçka për Arsenalin, për bashkëlojtarët e mi. Mendoj se ata e vlerësojnë këtë".

"Qëllimi i radhës për mua dhe klubin është të kthehemi fuqishëm. Për momentin gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duam ne. Do të jetë e vështirë, por unë mendoj se ne e kemi fuqinë mendore dhe cilësinë si skuadër për t’u kthyer dhe për t’i fituar ndeshjet që na duhen".

"Është pak e njëjtë me situatën time, kur gjërat nuk po shkonin siç doja. Ne vetëm duhet të qëndrojmë të bashkuar si skuadër dhe klub, bashkë me tifozët tanë, njerëzit që ia duan të mirën Arsenalit. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të kthehemi fuqishëm së bashku.

"Kjo është mënyra e vetme se si do të përmirësohemi. Nuk është koha t’i drejtojmë gishtat te njëri-tjetri, ne duhet të punojmë bashkë për t’u kthyer dhe shpresoj se do ta shijojmë pjesën e mbetur të sezonit," shkruan Shkodran Mustafi.
Shtuar më 16/01/2020, ora 21:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori