Ashraf Hakimi zyrtarizohet te Interi, tërbohen tifozët e Realit: Sa turp
Ashraf Hakimi është zyrtarisht një futbollist i skuadrës së Interit.

Klubi zikaltër ka mbyllur gjithçka dhe gjatë pasdites ka zyrtarizuar firmën me futbollistin i cili transferohet nga Real Madrid.

Futbollisti 22-vjeçar maroken ka kryer dje vizitat mjekësore dhe sot ka ardhur firma në kontratë që e lidh me klubin italian deri në vitin 2025.

Një goditje e rëndësishme për Interin, duke llogaritur edhe shifrën “modeste” që është paguar për kartonin e tij. Interi e bleu atë për 40 milionë euro dhe pavarësisht krizës së shkaktuar nga pandemia, të gjithë duken të sigurt se zikaltërit kanë bërë një blerje të madhe me kosto të ulët.

Situatë e cila nuk u ka pëlqyer shumë tifozëve të Real Madrid, klubit që zotëronte kartonin e tij. Në njoftimin e zyrtarizimit edhe nga vetë Reali, nuk kanë munguar një lumë me komente kundër klubit për këtë lëvizje të pastudiuar mirë.

“Shitëm lojtarin e krahut të dytë më të mire në botë”, shkruante një tifoz, ndërsa një tjetër komentonte “Do e blejmë një të tillë për 100 milionë”. “Vetëm për 40 milionë. Sa turp”, ishte reagimi i një tjetër tifozi madrilen që shprehte pakënaqësinë për mënyrën se si Reali kishte hequr dorë nga një futbollist që ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme gjatë periudhës kur ka veshur fanellën e Borusia Dortmund. Nga ana tjetër, tifozët e Interit ishin të ekzaltuar. Ata publikonin në rrjetet sociale foto të Shnajder, Kambiaso e së fundmi Hakimi, me frazën “Faleminderit Madrid”.
Shtuar më 02/07/2020, ora 18:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori