Asisti ndaj Sheffield fut De Bruyne në historinë e Premier League
Kevin de Bruyne e shkroi historinë në Premierligë të martën, kur u bë futbollisti i parë në histori që kontribuon me 15 ose më shumë asiste në tre sezone në ligën elitare të futbollit në Angli.

Mesfushori i talentuar belg e asistoi golin e fitores të Sergio Agueros, në fitoren me epërsi minimale 1:0 të Manchester Cityt kundër Sheffield Unitedit në Bramall Lane.

Kështu, De Bruyne e regjistroi asistin e tij të 15-të për këtë sezon – shifër kjo që e kishte arritur dhe kaluar edhe në sezone të tjera në Angli, në sezonin 2016/17 (18 asiste) dhe sezonin 2017/18 (16 asiste).

28-vjeçari është gjithashtu në rrugë të drejtë për ta shijuar sezonin e tij më të mirë sa i përket numrit të golave të shënuara, pasi që deri më tani i ka shtatë gola, ndërsa rekordi që e kishte arritur para dy vjetëve e ka për tetë gola brenda një sezoni.

De Bruyne rezultoi të ketë qenë dallimi mes dy skuadrave në ndeshjen e së martës, kur Sheffield Unitedi arriti ta dëshmojë pse është ngritur në pozitën e shtatë në tabelën e Premierligës. Trajneri i këtyre të fundit, Chris Wilder, e lavdëroi belgun pas ndeshjes.

"Kevin De Bruyne e gjeti një pasim të mrekullueshëm dhe lëvizja e Sergio Agueros – ai e ka bërë këtë kundër të gjithëve në Evropë dhe në botë – ishte një goditje e mrekullueshme", tha trajneri i Sheffieldit.
Shtuar më 22/01/2020, ora 08:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori