Askush s'pranon të luajë me ne
Federata Shqiptare e Futbollit po has në vështirësi më të mëdha seç shpresonte për të gjetur një kundërshtar me të cilën përfaqësuesja të ndeshet në miqësore gjatë fillimit të muajit qershor. Zyrtarë të institucionit thanë dje që nuk ka ende asgjë konkrete sa i përket zhvillimit të ndeshjes në fjalë, ndërkohë që stafi teknik është i shqetësuar për mundësinë që të paktën një ndeshje miqësore të zhvillohet në fund të këtij sezoni.

" Paksa të shqetësuar jemi. Një ndeshje në fund të këtij edicioni dhe përpara miqësores së muajit gusht me Moldavinë është e domosdoshme. Kemi vështirësi për të gjetur një kundërshtar, ndonëse nuk i kami humbur shpresat", tha një burim pranë stafit të Kombëtares për Sport Ekspres.

Federata është duke tentuar të gjejë një kundërshtar përpara fillimit të kampionatit europian. Ajo ka kontakte të vazhdueshme me agjenci të licencuara nga FIFA për ndërmjetësimin e ndeshjeve miqësore, por deri tani nuk ka ende asgjë konkrete.

Më parë, FSHF ka qenë afër një ndeshjeje kundër kampionëve në fuqi të Botës, Spanjës, por stafi teknik i kësaj të fundit preferoi një kundërshtar tjetër.

Gjithashtu është tentuar edhe me përfaqësuesen e Kinës dhe Arabisë Saudite, mundësi që kanë ardhur duke u zbehur me kalimin e kohës. Sidoqoftë, shpresat nuk janë humbur. /albeu.com/
Shtuar më 23/04/2012, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori