Aubameyang dëshiron të luajë me Messin te Barcelona
Nuk është mister që te Barcelona kanë nisur të kërkojnë një pasardhës për Luis Suarezin.

Pasi vetë lojtari pak kohë më parë pranoi se rendimenti i tij ka pësuar rënie, tashmë edhe vetë klubi ka konstatuar nevojën për forca të reja në vijën e parë.

Objektivi që katalanasit i kanë vendosur vetes është Pier Emerik Aubameyang, sulmues i datëlindjes 1989 dhe që aktualisht është pjesë e Arsenalit në kampionatin anglez.

Pas dy sezonesh pozitive në Londër, djaloshi i lindur në Gabon ishte gati të rinovonte bashkëpunimin me klubin, por bisedimet kanë pësuar një frenim, sapo i interesuari ka marrë vesh lajmin se Barcelona e konsideron si pasardhës të Luis Suarezit për sezonin e ardhshëm.

Mbase është ende herët për oferta, por interesi katalanas ka bërë që 30-vjeçari të mos nxitohet të firmosë akordin e ri me anglezët, me të cilët marrëveshja e re parashikonte një bashkëpunim deri në vitin 2024.

Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja katalanase “SPORT” sipas së cilës Aybameyang pret të shohë sesa i rëndësishëm është në planet e Barcelonës.

Nëse blaugranët këmbëngulin për shërbimet e tij, atëherë lojtari do të refuzojë rinovimin e kontratës aktuale, e cila skadon në qershor të 2021-shit.

Duke hyrë në sezonin e fundit të akordit, as Arsenali nuk do të kishte leverdi ta mbante në skuadër, duke rënë pre kështu e rregullave të pashkruara të merkatos, e duke qenë të detyruar ta shesin lojtarin për një shumë më të ulët.

Kur u largua nga Borussia e Dortmundit dy sezone më parë, Aubameyang e priti gjatë Realin e Madridit përpara se të vendoste të merrte avionin për në Londrën Veriore e të pranonte ofertën e majme të Arsenalit.

Asokohe ishte Ronaldo i preferuari i tij, teksa pas interesit të Barçës, ideja e sulmuesit është që të luajë te Barcelona, ku do të kishte mundësinë të zbriste në fushë krah Leo Mesit, një tjetër idhull i afrikanit.
Shtuar më 22/11/2019, ora 18:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori