Australi, Berisha shënon golin e 12-të sezonal
Brisbane Roar kanë ruajtur shpresat për të mbetur në garën për titullin kampion në Australi, pasi ka mundur 2-0 kryesuesit e Mariners, në fushën e këtij të fundit. Protagonist i takimit ka qenë përsëri kosovari Besart Berisha, i kthyer nga pezullimi 1-javor, që i dha Federata Australiane.

Sulmuesi shqiptar ka qenë autori i golit të dytë për skuadrën e tij, duke e ndihmuar që të marrë suksesin, i cili e mban Birsbane Roar në vendin e tretë të kampionatit. Pas momentit të vështirë të javëve të fundit, Berisha e ka festuar golin duke përqafuar trajneri Ante Postecoglu.

Ky i fundit e ka mbrojtur atë gjatë kësaj periudhe dhe ka deklaruar shpesh se futbollisti shqiptar është sulmuesi më i mirë, që ka stërvitur ndonjëherë, ndërsa të gjitha shanset që ka ekipi për të rifituar titullin varen nga forma e ish-futbollistit të kombëares shqiptare.

Për Berishën, ky ishte goli i 12-të i këtij kampionati, duke vazhduar të qëndrojë i vetëm në kryesimin e renditjes së golashënuesve. Ndonëse ai po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon, në Kampionatin Australian, është lënë në harresë nga FSHF-ja, e cila prej kohësh nuk e merr në konsideratë grumbullimin e tij me fanellën kuqezi. /albeu.com/
Shtuar më 04/02/2012, ora 11:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori