Avokati i Napolit i bindur: Humbja në tavolinë ishte padrejtësi, e rrëzojmë në Apel
Avokati i Napolit, Mattia Grassani ka dhënë një intervistë për radion e njohur “Kiss Kiss Napoli”, ku është ndalur gjerë e gjatë te ndeshja e pazhvilluar ndaj Juventusit, rezultati i të cilës u vendos 0-3 për bardhezinjtë në tavolinë.

“Vendimi i Gjykatës Sportive është i gabuar dhe lehtësisht i rrëzueshëm në shkallën e dytë të gjykimit. Kjo pasi aty thuhet se Napoli nuk dëshironte të udhëtonte të shtunën drejt Torinos, ndërsa ne kemi të dokumentuar vendimin e ASL-së së Napolit, që nuk lejonte ndërmarrjen e një udhëtimi të tillë”, u shpreh Grassani.


Më pas avokati i klubit napolitan u shpreh se janë marrë të gjitha masat që të ndiqen edhe hapa të tjerë gjykimi, nëse nuk do t’ia dalin as në Gjykatën Sportive të Apelit, teksa theksoi se ky është një dëm që po i bëhet padrejtësisht Napolit.

“Unë kam shumë besim te drejtësia në Gjykatën Sportive të Apelit, por nëse marrim një vendim negativ, atëherë do të apelojmë direkt në Kolegjin e garancive Sportive në CONI. Bëhej fjalë për një udhëtim 1600 kilometra vajtje-ardhje dhe me shumë kontakte gjatë rrugës, ndaj klubi nuk u lejua që të udhëtojë drejt Torinos. Është një dëm i madh që po i bëhet Napolit, pasi skuadra luan një sezon të tërë për ndeshje të tilla si ndaj Juves dhe nuk mund t’i hiqet mundësia e t’i faturohet humbja në tavolinë”, deklaroi avokati i Napolit.
Shtuar më 19/10/2020, ora 20:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori