Babai i Neymarit do të takohet me Juventusin
Ylli i pakënaqur i Paris Saint-Germainit, Neymar, e do patjetër largimin nga Franca këtë verë. Pasi që bisedimet me Barcelonën nuk kanë lëvizur aq shpejt sa kishte shpresuar, tani braziliani po e vlerëson mundësinë e transferimit në Juventus.

Neymar Santos Sr, babai i futbollistit, do të takohet me drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paraticin në Torino, sipas gazetarit të Rai Sport, Paolo Paganini.

Megjithatë, në këtë takim nuk do të flitet për transferimin e mundshëm të Neymarit në Juventusit, por babai i Neymarit dëshiron vetëm t’i ketë disa informata për gjigantin italian, të paktën për momentin.

Ndërsa, Juventusi do ta shfrytëzojë këtë si mundësi për t’ia “rrëmbyer” Barcelonës Neymarin, i cili po e kërkon me ngulm largimin nga Paris Saint-Germaini gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Mundo Deportivo raportoi të mërkurën se Neymari e ka kuptuar se do ta ketë të vështirë të transferohet në Barcelonë dhe për këtë arsye i ka kontaktuar disa klube të tjera të mëdha të Evropës, si Real Madridin, Juventusin, Bayern Munichun dhe Manchester Unitedin.

Kampi i Neymarit beson se Barcelona dhe PSG-ja nuk do të arrijnë marrëveshje mes vete për shkak të marrëdhënies së tensionuar mes dy klubeve, që shpeshherë janë zënë për shkak të transferimeve.

Barcelona ka mbetur e zhgënjyer në tentimet për t’i transferuar Thiago Silvan dhe Marquinhosin e PSG-së, e pastaj edhe në interesimin për Angel di Marian, Marco Verrattin dhe Adrien Rabiotin. Si rezultat, kushtet për negociata mes dy klubeve nuk janë të përsosura.

Për më tepër, paratë përbëjnë problem për Barcelonën. Pasi që katalonasit tashmë i kanë bërë dy transferime të shtrenjta gjatë këtij afati kalimtar – Frenkie de Jong për 71 milionë euro dhe Antoine Griezmann për 120 milionë euro – ata do të preferonin ta merrnin brazilianin me ofertë për shkëmbimin e lojtarëve.

PSG-ja nuk është e interesuar në ofertat për shkëmbim me lojtarë. Nëse ata do të pranojnë ta shesin Neymarin këtë verë, në shkëmbim duan para, madje shumë para. Presidenti i klubit të Ligue 1, Nasser Al-Khelaifi, dëshiron që të paktën t’i kthejë 222 milionë eurot e shpenzuara për Neymarin para dy vjetëve.
Shtuar më 18/07/2019, ora 08:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori