Bale: Një ditë mund të kthehem te Tottenham
Pëlqej
Sulmuesi i Real Madrid, Gareth Bale e pranon se lidhja që ka me klubin e Tottenham vazhdon të mbetet e fortë dhe në të ardhmen mund të rikthehet sërish në radhët e skuadrës ku u bë i njohur. Sulmuesi uellsian u transferua më shumë se një vit më parë në Madrid për rreth 100 milionë euro, por një pjesë e zemrës së tij vazhdon të jetë në Londër edhe pse largimi i tij zemëroi shumë tifozë në "White Hart Lane".

"Nuk kam për t’i harruar asnjëherë netët e mëdha europiane që kam kaluar në "White Hart Lane". Ishin momente të paharrueshme. Tottenham do të ketë përherë një vend në zemrën time dhe shpresoj që fansat të mos më urrejnë, pavarësisht largimit tim. I dua shumë ata dhe dua të theksoj që asnjëherë nuk i dihet, një ditë mund të rikthehem", është shprehur Gareth Bale.

Oferta e ardhur nga një klub si Reali ishte e parefuzueshme për uellsianin, i cili shton se "Los Blancos" është një klub i madh dhe për këtë fakt, tifozët e Tottenham duhet ta respektojnë vendimin e tij.

"Kur më erdh oferta e pashë veten në një pozitë shumë të vështirë sepse te Tottenhami isha ndier përherë komod dhe ndihesha i lumtur", vijoi uellsiani.

Gareth Bale ka shënuar 15 gola që prej transferimit të tij në Madrid. Rrjetat e tij me më shumë peshë në skuadrën spanjolle janë ato në dy finalet e Kupës së Mbretit por edhe goli në finalen e Champions League. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2014, ora 10:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori