Balotelli sërish sherr, City i përgatit valixhet
Mario Balotelli po kalon momentin më të vështirë që nga koha kur është transferuar te Manchester City. Sipas tabloideve angleze, përveçse e ka inatosur jashtë mase Roberto Mançinin, Super-Mario ka humbur edhe mbështetjen e shokëve të skuadrës. Senatorët e klubit anglez kanë frikë se mos humbin garën për titullin për faj të sulmuesit italian dhe janë nervozuar edhe me trajnerin, i cili gjendet nën akuzë, sepse e ka toleruar më shumë seç duhet Balotellin.

Sipas një burimi brenda dhomave të zhveshjes të skuadrës angleze, i cili ka dhënë një deklaratë për “The Sun”, Mario ka filluar të nervozojë disa shokë skuadre: “Ai mund të jetë një personazh i madh, por duket se mendon se mund të vazhdojë me rregullat e tij dhe kjo gjë nuk i bën aspak mirë grupit”. Futbollisti italian është grindur të shtunën si me Kolarovin, edhe me Yaya Toure: në pushimin e ndeshjes me Sunderland dy futbollistët janë zënë dhe debati ka degjeneruar në kapje me duar, aq sa vëllai i mesfushorit të City, Kolo, ka ndërhyrë për t’i ndarë.

Baloteli nuk i ka kapërdirë dot kritikat e bëra nga mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i cili nuk është i pari shok skuadre me të cilin Super-Mario ka pasur fërkime: në të kaluarën ai është grindur me Richards dhe jerome Boateng. Italiani mund edhe të gjobitet, por, siç është paraprirë edhe nga disa të përditshme angleze, në fund të sezonit ai mund të largohet.

Klubi anglez është i gatshëm të dëgjojë oferta për bomberin e ri në merkaton e verës. Mësohet madje se edhe vetë Mançinit i ka ardhur në majë të hundës nga Mario dhe se ka dhënë aprovimin për një largim të mundshëm të tijin nga Manchester City. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2012, ora 14:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori