Balotelli te Liverpool? Distancohet Rodgers
Pëlqej
Brendan Rodgers është distancuar nga Mario Balotelli, ndoshta në përpjekje për të ulur sado pak çmimin e lojtarit të Milanit. Disa ditë më parë elozhet e trajnerit të Liverpoolit për sulmuesin u deshifruan menjëherë si një sinjal për transferimin e tij në Angli, por Rodgers nuk ka preferuar të qëndrojë në heshtje. Ai tha se Balotelli është një lojtar i jashtëzakonshëm, por opinioni që dha për të nuk do të thotë asgjë më tepër.

Megjithatë për mediat në Itali, deklarata e Rodgers pak rëndësi ka, pasi sipas tyre Milani dhe Liverpooli ndodhen në negociata dhe pranë një pike të përbashkët që mund ta çojë Balotellin drejt Anfield Road.

Konkretisht "Sport Mediaset" shkruan se akordi mund të finalizohet nga mesi i Gushtit me shifrën që mendohet të jetë diku te 20 milionë Euro. Me një shumë të tillë në duar, Galliani jo vetëm që do të ishte i kënaqur, por do të hidhej menjëherë në sulm për të marrë Alessio Cerci nga Torino, i cili dëshirohet aq shumë nga Pippo Inzaghi.

Pavarësisht distancimit të fundit nga Rodgers, për ta çuar Balotellin te Liverpooli është angazhuar me mëngë të përveshura Mino Raiola. Agjenti me famë në botën e futbollit po kujdeset që vlera e klientit të tij të qëndrojë sa më e lartë në merkato dhe po kështu edhe paga të jetë e kënaqshme për Super-Marion. /albeu.com/
Shtuar më 04/08/2014, ora 10:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori