"Barça-Bayern, dhuratë për futbollin"
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, beson se gjysmëfinalja e Champions League kundër Bayern Munchen është një dhuratë për futbollin. Katalanasit evituan një El Clasico të mundshëm nga shorti i hedhur në Nyon, por përpara kanë një tjetër pengesë të madhe, bararezët të cilët dominuan në sfidën e përpara dy sezoneve me rezultatin e përgjithshëm 7-0.

Një tjetër e dhënë interesante rreth kësaj sfide është rikthimi i Pep Guardiolas në "Camp Nou" ku fitoi dimensionin e trajnerit të madh dhe presidenti katalanas e pranon se do të jenë 180 minuta spektakolare

"Është një nder për Barcelonën që do të luajë gjysmëfinalen e 8 të Champions League në dekadën e fundit. Kjo sfidë është një dhuratë për të gjithë tifozët e futbollit. Për ne, përballja me skuadrën e Pep Guardiolës është një sfidë e madhe", është shprehur Bartomeu.

Barcelona do ta presë Bayernin në 6 maj në "Camp Nou", ndërsa 6 ditë më pas do të vizitojë "Allianz Arena"-n. Gjithsesi, ekipi i Luis Enriques duhet të fokusohet edhe në kampionat ku e pret derbi me Espanyol dhe Bartomeu kërkon fokus maksimal te kjo ndeshje.

"Siç e ka thënë edhe trajneri jonë, fillimisht duhet të mendojmë për Espanyolin dhe më pas për Getafen e Cordoban. Duhet t’i mbështesim lojtarët tanë dhe të jemi optimistë. Tani më shumë se asnjëherë tjetër duhet të tregohemi një ekip i bashkuar", vijoi presidenti i Barcelonës.

Barcelona aktuale pasqyron edhe filizofinë e Guardiolas, i cili arriti të bëhej trajneri më i suksesshëm i kësaj skuadre me 2 Champions League dhe 3 La Liga të fituar brenda 4 vjetesh nën drejtimin e skuadrës. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2015, ora 10:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori