Barça e 2014-ës, një katastrofë e vërtetë
"Annus Horribilis". I tillë po rezulton ky vit për Barcelonën që në kampionatin spanjoll po bën një figurë të shëmtuar, duke eklipsuar sukseset e viteve të shkuara. Ndoshta fundi i një epoke po troket në dyert e klubit katalanas dhe këmbanat e alarmit për këtë konstatim i japin statistikat që flasin qartë.

Në 10 ndeshje të kampionatit të zhvilluara gjatë vitit 2014, Barcelona regjistron 5 fitore, 2 barazime dhe plot 3 humbje me Valencia, Real Sociedad dhe Real Valladolid.

25 janë golat e shënuar dhe 10 ata të pësuar nga skuadra e Gerardo Tata Martinos, e cila nuk arrin të gjejë ekujlibrin në repartin e tërhequr, çka i ka detyruar drejtuesit të hartojnë edhe një plan të detajuar për forcimin e mbrojtjes në merkaton e verës.

Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, Barcelona ka arritur të grumbullojë vetëm 17 pikë nga 30 të mundshme duke lënë rrugës 13 pikë, çka mund të rezultojë vendimtare në fund të kampionatit.

Gjithsesi, përballja El Clasico në "Santiago Bernabeu" në datën 23 Mars mund të thotë fjalën e fundit në luftën në distancë që katalanasit po zhvillojnë me Real Madrid, pasi kjo sfidë mund të rezultojë edhe treni i fundit për katalanasit drejt titullit të dytë rresht.

Dhe në fund, një tjetër e dhënë interesante që tregon shenjat e krizës në skuadrën e Martinos pasi Barcelona nuk e shikonte veten në vendin e tretë të klasifikimit në Primera Division që prej gjashtë sezonesh. /albeu.com/
Shtuar më 09/03/2014, ora 12:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori