Barça-Milan, Allegri grumbullon dhe Paton
Alexandre Pato është në listën e 23 futbollistëve të grumbulluar nga trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, në kuadër të çerekfinales ndaj Barcelonës, e vlefshme për Ligën e Kampioneve.

Sulmuesi brazilian është rikthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është i gatshëm për supersfidën e së martës ndaj katalanasve. Por, lajmi i keq për kuqezinjtë është mungesa në këtë takim e mesfushorit hollandez Mark van Bommel, i cili vuan nga një dëmtim në shpatull dhe nuk ka mundur dot të rekuperohet në kohë.

Të shtunën, shefi i mjekëve të Milanit, Jean Pierre Meersseman, ishte shprehur se Pato gëzonte një formë të mirë fizike dhe që ishte i gatshëm të grumbullohej. Numri 7 i kuqezinjve udhëtoi në Atlanta (SHBA) për të kuptuar arsyet e dëmtimeve të tij të shpeshta muskulore dhe vizitat e kryera kanë dhënë rezultat, sipas Meersseman.

Të gatshëm për Allegrin do të jenë edhe Alessandro Nesta e Clarence Seedorf, të cilët munguan në ndeshjen ndaj Catanias të shtunën.

Ja të grumbulluarit e Milanit për ndeshjen ndaj Barcelonës: Abbiati, Amelia, Piscitelli, Abate, Antonini, Bonera, De Sciglio, Mesbah, Mexes, Nesta, Zambrotta, Yepes, Ambrosini, Aquilani, Boateng, Emanuelson, Nocerino, Seedorf, El Shaarawy, Ibrahimovic, Maxi Lopez, Pato, Robinho. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 11:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori