Barça ngul këmbë për Lautaron, Interi i përgjigjet: Na jepni Griezmann
Doni Lautaro Martinezin? Na jepni Antoine Griezmann! Është kjo përgjigjia provokuese e Interit në drejtim të Barcelonës. Blaugranat vazhdojnë të këmbëngulin për të marrë shërbimet e sulmuesit argjentinas të zikaltërve i cili nga data 1 deri në 15 korrik ka një klauzolë largimi që kap shifrën e 111 milionë eurove.

Por Interi nuk dëshiron kurrësesi të privohet nga një lojtar i rëndësishëm si Lautaro Martinez i cili në këtë sezon ka shënuar deri tani 16 gola me zikaltërit dhe për këtë arsye siç raporton Gazzetta Dello Sport kërkesat e klubit nga Milano janë goxha të larta, duke i kërkuar si shkëmbim Barcelonës kartonin e francezit Griezmann. Ndryshe nga Demi, kampioni i botës me Francën në Rusi 2018-të nuk është përshtatur siç duhet te Barça edhe pse blaugranat verën e kaluar paguan klauzolën prej 120 milionë eurosh për ta marrë nga Atletico Madrid.

Por edhe nëse fiksimi për Lautaro Martinez detyron Barcelonën të heqë dorë nga Griezmann do të jetë e vështirë që francezi të pranojë transferimin te Interi, duke patur parasysh edhe faktin që zikaltërit e kanë të pamundur t’i japin Griezmann-it 17 milionë euro sa përfiton aktualisht te Barcelona. Ndërkohë në aksin Barcelonë-Milano vazhdohet të diskutohet edhe për Arturo Vidal mesfushorin e shumëkërkuar nga Conte. Vidal ka kontratë deri në 2021-in me Barçën dhe kërkon largimin për t’u bashkuar me ish-trajnerin e tij në kohët e Juventusit, këtë herë te Interi.
Shtuar më 14/04/2020, ora 12:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori