Barcelona, fundi i "Dream Team"
Rrëzimi i një klubi që është më tepër se një skuadër në një mbremje si ajo e "Allianz Arena" nuk mund të kalohet lehtë në Spanjë. Barcelona e konsideruar nga shumë si ekipi më i mirë i të gjitha kohërave i kishte dhënë prej kohësh shenjat e një skuadre anemike, pa shpirt dhe mbi të gjitha e pafuqishmë për të vrapuar në fushë. Kjo situatë nuk mbetet jashtë analizës së mediave madrilene, të cilat me siguri fërkojnë duart dhe paralajmërojnë rrëzimin e kështjellës katalanase. Në këtë linjë, e përditshmja "Marca" nuk kursehet në kritika, madje shkon deri aty sa hedh për diskutim debatin: A është ky fundi i një epoke të artë për Barcelonën?

Për rreth 20 vjet Barcelona nuk kishte pësuar një disfatë të tillë, sepse dy dekada më parë, "Dream Team" u poshtërua në finalen e 18 Majit me rezultatin 4-0 nga Milani i Capellos. Ajo disfatë rrëzoi si një kështjellë rëre ekipin e pamposhtur të Johan Cruyff. Daniele Massaro dy herë, Dejan Saviçeviç dhe Marcel Desailly ishin golashënuesit e atij takimi që ndikoi edhe në biografinë e trajnerit hollandez, i cili u shkarkua rreth një vit e gjysmë më pas nga presidenti Jose Luis Nunez. Barcelona e Cruyffit la pas vetwm hirin e një epoke të artë që u pasua nga emra të tjerë në stol si Bobby Robson e Louis Van Gaal, të cilët edhe pse arritën të korrnin suksese në arenën kombëtare, nuk mundën t’ia kthenin më shpirtin e skuadrës "Dream Team".

Rreth 2 dekada më pas, Barcelona e Tito Vilanovas pëson të njëjtin fat, por këtë herë, nuk bëhet fjalë për rrëzimin e një skuadre ëndrrash por për rrokullisjen drejt humnerës se ekipit "Pep Team". Trajneri katalanas e transformoi klubin në një kundërshtar të frikshëm për këdo, saqë edhe thjesht emri Barça i kallte të dridhurat kujtdo që zbriste në fushë përballë 11 jashtëtokësorëve.

A ka përfunduar epoka e artë e shekullit të ri për ekipin blaugrana? Këtë do ta mësojmë vetëm pas 90 minutëshit të "Camp Nou" një javë më pas. /albeu.com/
Shtuar më 24/04/2013, ora 15:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori