Barcelona, ja "mesazhi" i Bartomeut për Neymar
Presidenti i Barcelonës Josep Maria Bartomeu ka një mesazh të cilin Neymar bën mirë ta dëgjojë me kujdes: "Te Barcelona është Luis Enrique që vendos dhe të gjithë duhet t’i binden zgjedhjeve të tij".

Braziliani reagoi me nervozitet kur u zëvendësua në barazimin 2-2 me Sevillan. Gjesti i tij u pa qartë dhe u komentua, me disa që u rreshtuan nga braziliani e të tjerë nga Enrique, siç është edhe qëndrimi i fundit i numrit një të Barçës.

"E kuptoj që secili kërkon të luajë dhe të japë kontributin për skuadrën. Kjo është një gjë e mirë, por ka disa çështje që duhet të qëndrojnë brenda dhomave të zhveshjes sepse është trajneri ai që gjithmonë duhet të gjejë një zgjidhje. Jemi të parët në kampionat, jemi në finalen e Kupës së Mbretit dhe shumë pranë gjysmëfinaleve në Champions", ka thënë numri një i Blaugranave.

Uniteti në skuadër është çelësi për një fund të suksesshëm të sezonit, ndaj edhe Bartomeu përpiqet nëpërmjet këtij mesazhi që t’i mbajë lojtarët rreth trajnerit. Paralajmërimi vlen më shumë për Neymar, i cili edhe pas fitores me Paris Saint Germain, përsëriti se dëshiron gjithmonë të luajë, pa kërkuar ndjesë për gjestin polemizues. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2015, ora 14:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori