Barcelona ndalet në "La Rosaleda" (VIDEO)
Pëlqej
Pas 4 fitoreve ndalet dhe Barcelona. Transferta me Malagan rezultoi një kafshatë e pamundur për t’u kapërdirë nga skuadra blaugrana që nuk bindi në La Rosaledan e mbushur plot e përplot.

Luis Enrique kishte zgjedhur tredhëmbëshin e formuar nga Messi, Neymar e Pedro, por Barcelona nuk arrinte të gjente rrjedhshmërinë e duhur në lojë. Me Pedron e Neymar pak reaktivë ishte vetëm Messi ai që krijoi në pjesën e parë për katalanasit. Argjentinasi i futi drithërimat Malagas në minutën e 15 me një goditje që përfundoi vetëm pak lart shtyllës, ndërsa 10 minuta më pas i mungoi sërish për pak gjë shënjestra teksa provoi kthimin me gjoks në krosimin e Jordi Albas.

Në të 43, 4 herë fituesi i Topit të Artë nuk arriti për një fije në krosimin e Alba dhe pjesa e parë u mbyll me porta të paprekuara, falë një Malage që nuk lejoi asgjë dhe një Barcelone që realizoi një zotërim topi thuajse të pafund, por shterpë.

Fillimi i të dytës ishte akoma më i keq për katalanasit që nuk arritën të krijonin asgjë për 15 minutat e para, deri sa Mark Bartra tentoi me kokë në goditjen e këndit të Rakitic, por topi kaloi pjesën e jashtme të rrjetës së Karmenit.

Luis Enrique vrapoi të korrigjonte sulmin duke nxjerrë nga loja një Neymar në hije e po ashtu dhe Pedron për t’i besuar kanteranëve Sandro dhe Munir, por asgjë nuk ndryshoi e madje ishte Malaga që u shfaq rrezikshëm në anët e Klaudio Bravos.

Në minutën e 68, Rosales lëshoi një silur nga kufijtë e zonës, ndërsa në minutën e 78 fati ishte me blaugranat. Goditje dënimi në pozicion delikat nga Luis Alberto dhe vetëm shtylla shpëtoi portën e Klaudio Bravos.

Me kalimin e minutave në rritje dhe tensioni me Wellington që shpëtoi paq në minutën e 83 kur i vuri duart në fytyrë Lionel Messit, Barça u hodh e gjitha dëshpërimisht në kërkim të golit që nuk erdhi në minutat e fundit, për ta mbylllur me Malagan që rezultoi një barrier e pakalueshme në "La Rosaleda", duke i shkaktuar ndalesën e parë Luis Enriques. /albeu.com/
Shtuar më 25/09/2014, ora 09:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori