Valverde në pikëpyetje për të ardhmen, Xavi: Dua të bëhem trajneri i Barcelonës
Legjenda e Barcelonës dhe Spanjës, Xavi, ka thënë se dëshiron të rikthehet te ish-klubi i tij dhe ta marrë postin e trajnerit, por po ashtu është i etur ta marrë drejtimin e ndonjë klubi në Premierligën e Anglisë.

Xavi i bëri mbi 700 paraqitje për klubin e fëmijërisë, Barcelonën, si dhe është futbollisti i tretë me më së shumti paraqitje për Spanjën, 133 në total.

Mesfushori i cili ishte truri i ekipit kombëtar të Spanjës që e fitoi Kupën e Botës më 2010 dhe dy herë Kampionatin Evropian, u pensionua nga futbolli para pesë muajve për t’i marrë hapat e parë si trajner me Al Saddin në Katar, klubin ku i kaloi katër vjetët e fundit të karrierës së tij të bujshme si lojtar.

Edhe pse është vetëm në fillim të karrierës si trajner, Xavi e pranon se synimi i tij kryesor është të rikthehet në Barçë si trajner.

“Nuk e fsheh faktin se synimi im është të kthehem në Evropë dhe në Barcelonë. Kjo është sfida ime. Ama ende jam duke mësuar në këtë projekt të cilin po e shijoj, po ashtu”, tha Xavi.

“Ideja ime është të jem në Barcelonë, siç kam qenë edhe si lojtar. Ta stërvit një ekip si ky do të ishte privilegj dhe për mua privilegji më i madh do të ishte të kthehem në Barçë”, shtoi ai.

Synim është rikthimi në Barcelonë, por Xavi nuk e përjashton mundësinë edhe për t’u bërë trajner në Premierligë, nëse i ofrohet mundësia.

“Ai është synimi im, por natyrisht, kujt s’i pëlqen Premierliga? Atmosfera e futbollit, stadiumet e mbushura me tifozë dhe njerëzit që luajnë në Premierligë thonë se është e jashtëzakonshme. Nëse do të kisha mundësinë të zgjedhja, atëherë do ta merrja një ekip të madh, Manchester City apo United, Chelsea, Arsenal ose Tottenham”, përfundoi ai.
Shtuar më 23/09/2019, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori