Barella: Me Conten jam rritur shumë
Nicolo Barella është një nga futbollistët më në formë të momentit, pasi po shkëlqen me performancat e tij si te Interi, ashtu edhe te Kombëtarja Italiane, teksa përveç kilometrave të pafund e dyluftimeve të fituara, nuk ngurron të marrë pjesë edhe në manovrën sulmuese, duke kontribuuar me gola e asiste.

Mesfushori 23-vjeçar është përzgjedhur nga sajti zyrtar i UEFA-s për të dhënë një intervistë në prag të ndeshjes së parë të Interit në këtë edicion të grupeve të Ligës së Kampionëve, mbrëmjen e sotme ndaj gjermanëve të Borussia Monchengladbach.

I transferuar te Interi verën e kaluar, Barella debutoi në Ligën e Kampionëve pikërisht në përballjen e parë në grup përballë Slavias së Pragës, ku erdhi nga stoli dhe shënoi golin që shmangu humbjen e zikaltërve.

"Ishte një moment emocionues, pasi isha në pankinë dhe nuk besoja as që do të luaja, jo më të shënoja. Mendoj se britma ime e gëzimit u mbyt vetëm për faktin se ishte goli i barazimit, jo i fitores", tregon Barella.

Sezonin e kaluar zikaltërit u paraqitën mjaft mirë në fazën e grupeve dhe u përballën denjësisht me emra si Barcelona e Borussia Dortmund, por në fund nuk ia dolën të kualifikohen për në fazën e 1/8-ave, megjithatë Barella e pranon se skuadrës i mungonte eksperienca.

"Ishte viti i parë i një rrugëtimi që kemi nisur së bashku dhe natyrisht që na mungonte disi eksperienca. Kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira ndaj Barcelonës e Borussias së Dortmundit, por kemi humbur në transfertë dhe për fat të keq u eliminuam. Nga sezoni i kaluar kemi mësuar se kur luan ndaj kundërshtarëve të tillë, duhet të mësosh të mbyllësh ndeshjet, pasi çdo shpërdorim apo gabim, kushton shtrenjtë. Champions League përfaqëson maksimumin e fubtollit dhe këtë e kupton sapo shkelmon topin e parë. Aty çdo ndeshje është si një finale" shprehet italiani.

Antonio Conte i beson shumë Barellës dhe nuk e kursen asnjëherë, ndërsa vetë mesfushori 23-vjeçar pranon se nën drejtimin e trajnerit italian është rritur shumë dhe tani ndihet më i fortë e më i pjekur për t’u përballur me sfida të rëndësishme.

"Conte nuk më jep shumë këshilla për rolin, por falë tij dhe punës me të, jam rritur vërtetë shumë. Jam bërë një futbollist më i kompletuar, pasi di të zgjedh më mirë kohët e lojës dhe menaxhimin e ndeshjeve", thotë Barella.

Për herë të fundit Interi ia ka dalë të triumfojë në Champions League në verën e 2010-ës, periudhë të cilën mesfushori italian thotë se e kujton shumë mirë dhe flet me superlativa për grupin që kishin zikaltrit atëherë.

"E kujtoj mjaft mirë Interin e atij sezoni dhe së fundi kam parë edhe disa materiale në televizor, që flasin për grupin që kishte skuadra. Ishte një skuadër e madhe, me futbollistë të jashtëzakonshëm. Edhe te skuadra aktuale nuk mungojnë futbollistët cilësorë, por ata e treguan veten në fushë, duke fituar trofe, ndërsa ne akoma jo. Kam keqardhje që nuk arritëm të fitojmë Europa Leaguen, por jam i bindur që herët a vonë do të vijnë edhe trofetë për Interin", shprehet mesfushori zikaltër.

Këtë sezon Interi ka objektiva më madhorë se një vit më parë, pasi synon titullin kampion, por edhe avancimin sa më shumë në Ligën e Kampionëve. Në të njëjtën linjë është edhe mesfushori italian, që vlerëson jo pak shpirtin e grupit të zikaltërve.

"Jemi vërtetë një grup shumë i mirë dhe jemi gjithmonë gati të ndihmojmë njëri-tjetrin për të mirën e skuadrës. Kanë ardhur disa futbollistë shumë të zotë, por na pret një sezon intensiv dhe me ndeshje çdo tre ditë, ndaj të gjithë do të kenë mundësi të japin një dorë në fushën e lojës", u shpreh Nicolo Barella.
Shtuar më 21/10/2020, ora 14:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori