Baresi: Barcelona mbetet favorite
Franco Baresi, ish-kapiteni i Milanit dhe ai që konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë të historisë së futbollit, është shprehur në një intervistë për gazetën spanjolle ‘AS’ se Barcelona mbetet favorite ndaj Milanit për tu kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

“Pas ndeshjes së parë (0-0) unë vazhdoj të mendoj se Barcelona është favorite. Nuk mendoj vetëm unë kështu, por e gjithë Italia. Gjithsesi Milani ka shanset e tij në Camp Nou. E rëndësishme ishte që në San Siro nuk u pësua gol dhe objektivi i ndeshjes së parë u arrit”, deklaroi ish-numri 6 i kuqezinjve.

Baresi mendon se Ibrahimovic do të jetë arma e Milanit në takimin ndaj katalanasve: “Ai është më i rrezikshmi dhe të gjithë e dinë këtë. Ibra është në formë dhe kjo rrit shanset e kuqezinjve edhe pse të gjithë lojtarët e tjerë po luajnë mirë. Të gjithë janë të motivuar për të eliminuar Barcelonën.”

Duke u nisur nga eksperienca e tij e gjatë si mbrojtës, Baresi jep mendimin e tij se si mund të ndalet Leo Messi.

“Është shumë i vështirë për tu markuar. Lëviz mirë dhe gjen hapësirat e duhura për të goditur portën apo pasuar tek shokët. Të gjithë lojtarët e Milanit duhet të jenë të përqendruar përballë këtij lojtari të jashtëzakonshëm, i cili në shumë pak sekonda mund të zgjidhë ndeshjen”, shprehet legjenda kuqezi. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 14:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori