Bariç premton: Do të këndoj Himnin
Albeu.com
"Tifozët Kuq e Zi" kanë nisur bashkëpunimin me kroatin pas takimit të djeshëm. Trajneri ka shprehur gatishmërinë të japë shembullin e mirë për lojtarët, duke kënduar në gjuhën shqipe.

Patriotizmi është fryma, për të cilën ka nevojë aktualisht Kombëtarja shqiptare e futbollit. Kjo ka qenë ideja kryesore e takimit mes trajnerit të përfaqësueses, Oto Bariç dhe grupimit "Tifozët Kuq e Zi" gjatë ditës së djeshme. Përfaqësia e këtij grupi tifozësh ka shprehur dje gatishmërinë për të bashkëpunuar, duke mbështetur edhe më fort kuqezinjtë në takimet e ardhshme, ndërsa nga ana tjetër kroati është shfaqur i gatshëm për të bërë maksimumin që të ngjallë te lojtarët ndjenjën e patriotizmit, përfssirë këtu edhe këndimin e "Himnit të flamurit" në gjuhën shqipe, duke dhënë shembullin e mirë për lojtarët.

{nl}

Takimi i djeshëm mes tifozëve dhe trajnerit ka filluar me falënderimin e Bariç për atmosferën e krijuar në "Amsterdam Arena". Ai ka saktësuar menjëherë se, duke qenë nacionalist, dëshironte që edhe ekipi i tij të hynte në fushë me këtë frymë, duke kërkuar që lojtarët të mos luanin vetëm me këmbë e me kokë, por edhe me zemër. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se nuk shqetësohej për prejardhjen e futbollistëve të Kombëtares, për sa kohë që ato të ishin shqiptarë dhe të luanin për të përfaqësuar sa më denjësisht flamurin kuqezi. Duke qenë në të njëjtat linja mendimesh, "TKZ" i kanë kërkuar trajnerit kroat që të ndërhyjë pranë lojtarëve, në mënyrë që këta të fundit të respektonin dhe të këndonin Himnin para ndeshjes. "Jam i gatshëm që të këndoj edhe unë Himnin para ndeshjes, pasi kjo nuk përbën një problem për mua, por për futbollistët nuk varet tërësisht nga unë", është shprehur kroati, duke lënë të habitur edhe vetë tifozët e pranishëm në këtë takim. Më pas, ai ka premtuar se do të fliste me 2-3 lojtarë, të cilëve u dëgjohet zëri në Kombëtare, në mënyrë që të mobilizojnë edhe të tjerët për të kënduar himnin dhe për të përshëndetur tifozët në fund të çdo ndeshje. Duke vlerësuar mbështetjen e tifozerisë, Bariç ka premtuar gjithashtu se në të ardhmen do të bënte të pamundurën për të organizuar takime mes tifozëve dhe lojtarëve, para ndeshjeve të rëndësishme.

{nl}

Më pas është kaluar në diskutime për tema të tjera, ku "TKZ" i ka dorëzuar trajnerit një listë me talente shqiptare, që aktivizohen në Evropë, duke shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen. Diskutimi ka kaluar te rinovimi i Kombëtares, ku Bariç ka përsëritur vlerësimin e tij për dy mesfushorët, Cana dhe Curri. Me humor, tifozët janë shprehur se duheshin 10 Cana për Kombëtaren tonë. "Unë po kërkoj 4 Curri, 4 Cana dhe 4 Curri-Cana", ka qenë përgjigjja po me humor e trajnerit, i cili më pas është shprehur se këta ishin lojtarë të nevojshëm për çdo ndeshje. Ndërsa për kampionatin shqiptar, ai është shprehur se i kishte rënë në sy paraqitja e mirë e Emiljano Vilës, së Teutës, ndërsa ishte zhgënjyer paksa nga paraqitja e Daniel Xhafajt, në takimin e Kupës ndaj Apolonisë. Në të njëjtën kohë, ai ka shprehur kënaqësinë e tij për faktin se Bogdani dhe Tare kanë rifituar vendet e tyre në formacion në ndeshjet e mesjavës në kampionatin italian. Më pas takimi është mbyllur me premtimin për një tjetër mbledhje në vizitën e ardhshme në kryeqytetin shqiptar.

{nl}

nga Ermal Kuka, Gazeta Shqip

Shtuar më 27/10/2006, ora 23:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori