Bartomeu: Suarez e zgjodhi vetë Barçën
Pëlqej
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu zbulon disa detaje interesante në lidhje me transferimin më të shtrenjtë të katalanasve gjatë merkatos së verës. Sipas kreu të shoqërisë blaugrana, ishte vetë Luis Suarez që dëshironte transferimin në "Camp Nou".


"Barcelona e kontaktoi për herë të parë lojtarin përpara Kupës së Botës. I thashë se ishte në moshën e duhur dhe kishte eksperiencën për të bërë mirë te klubi jonë. E dinim shumë mirë se Suarez e pëlqente klubin dhe qytetin tonë. Ai kishte oferta edhe më të mira por zgjodhi të vinte te Barcelona", tha numri një katalanas.

Sulmuesi uruguajan u dënua me 4 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik pas kafshimit ndaj Giorgio Chiellinit, por Bartomeu thekson se ky fakt nuk ndikoi aspak në vendimin e shoqërisë për të blerë kartonin e tij.

"Ai gjest nuk na bëri aspak ta rimendonim vendimin që kishim marrë. Ai e di shumë mirë se bëri një gabim dhe kërkoi falje për këtë. Ky është një detaj që për ne ka shumë rëndësi", u shpreh Bartomeu.

Në vijim të intervistës, Bartomeu përqëndrohet te Lionel Messi, duke pohuar se ai është një burim frymëzimi për të gjithë të rinjtë që stërviten në La Masia.

"Messi për ne ka më shumë rëndësi se golat që shënon apo trofetë që fiton. Ai përfaqëson shpirtin e të rinjve që vijnë në La Masia dhe rriten në këtë klub. Vlera e tij për këtë klub është e pallogaritshme", vijoi Bartomeu.

Në fund, një koment edhe për ish trajnerin Pep Guardiola.

"Kam mësuar shumë nga Pep. Ai është një gjeni dhe një njeri që e ka Barcelonën në zemrën e tij. Pas vitit 2022 shumë lojtarë aktualë do të vazhdojnë karrierën si trajnerë, por do ta kenë derën të hapur për t’u rikthyer edhe këtu në pozicione të ndryshme drejtuese sepse çdonjërin prej tyre ne e konsiderojmë pjesë të familjes", përfundoi presidenti i Barcelonës. /albeu.com/
Shtuar më 06/08/2014, ora 10:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori