Bastet në Itali, zbulohet "thesari" në Zvicër
Futbolli italian është i destinuar të vuajë ende pasojat e skandalit të basteve, që ndryshe nga të gjitha pritshmëritë rrezikon të thellohet më tej dhe të kalojë kufijtë e këtij vendi. Një risi e bujshme vjen nga Zvicra, ku prokuroria e Bernës ka nisur një tjetër hetim, ndërsa bën të ditur se ka zbuluar edhe "thesarin" e grumbulluar nga bastet e paligjshme dhe paracaktimin e rezultatit të ndeshjeve të futbollit në kategoritë e ndryshme të futbollit italian.

Bëhet fjalë për një llogari bankare e kontrolluar nga një futbollist. Për shkak të hetimeve, nuk bëhet i ditur emir i lojtarit, por sipas autoriteteve zviceriane, bëhet fjalë për një lojtar të një niveli të lartë dhe që më parë ka patur problem me drejtësinë.

Këto fakte ngushtojnë rrethin në lidhje me identikitin e futbollistit, por mediat italiane tregohen të kujdesshme në lidhje me zbulimin e emrit të tij. Por më shumë se zbulimi se kujt i përket llogaria bankare, hetuesit shprehen të shqetësuar për përmasat që mund të marrë skanadali i basteve.

Sipas tyre, në këtë llogari janë derdhur shuma të mëdha parash për shumë vite me radhë ndërsa burimet kanë qenë nga vende të ndryshme të botës. Kjo tregon qartë ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar që merret me bastet e paligjshme, ndërsa paratë pastroheshin nga qarkullimi që i bënte futbollisti me anë të llogarisë bankare në Zvicër.

Për këtë arsye prokuroria e Bernës, ka kërkuar të marrë në pyetje "lojtarin" që përshkruhet i një niveli prestigjoz, por edhe të pesë personave të tjerë të lidhur me këtë çështje. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2012, ora 19:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori