Bastet për "Këpucën e Artë" në Itali, Ronaldo ndiqet nga Icardi (FOTO LAJM)

Transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi ka rihapur një garë interesante për bardhezinjtë që janë prej vitesh në kërkim të fronit europian, por në aspektin personal ka hapur edhe një sfidë për titullin e golashënuesit më të mirë në Serinë A.

Nëse deri vjet kjo çështje ka qenë një duel mes Mauro Icardit të Interit dhe Ciro Immobiles së Lazios, pa harruar këtu edhe Gonzalo Higuainin që sivjet ka kaluar te Milani, sigurisht që mbërritja e portugezit e ndez edhe më shumë duelin për “Këpucën e Artë” të Serisë A, por ndoshta edhe të asaj europiane.

Por, ndërsa të gjithë presin të kuptojnë sesi do të shkojë në fushë e gjithë kjo “luftë” mes këtyre goleadorëve, janë bastexhinjtë ata që janë të sigurt mbi një dominim të 33-vjeçarit të Juventusit edhe në sezonin e tij të parë mes skuadrave më të mira italiane.

Ronaldo kuotohet nga kompanitë e basteve me koeficientin 1.8 mbi fitimin e trofeut të goleadorit më të mirë, i ndjekur nga sulmuesi argjentinas Mauro Icardi i cili kuotohet me koeficientin 2.6.

Menjëherë pas argjentinasit vjen bashkatdhetari i tij Gonzalo Higuain, i cili pasi ka lënë Juventusin, tashmë do të ketë një derbi të zjarrtë me Icardin, duke qenë se ka kaluar të kushërinjtë kuqezi. Për suksesin në sfidën e goleadorëve, “Pipita” kuotohet me 3.9. Gjithsesi, siç ndodhi edhe vjet, të gjithë do të gabojnë nëse nënvlerësojnë Çiro Imobilen.
Shtuar më 07/08/2018, ora 23:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori