Bayern-Chelsea, duel miliarderësh
Tingëllon e çuditshme kur flitet për një duel kampionësh, edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka ngritur kupën më të rëndësishme të kontinentit. Në fushë sot pritet të zbresin 741 milionë euro (50 lojtarët e të dyja klubeve). Dhe, pavarësisht milionave të shpenzuara nga Roman Abramoviç që prej vitit 2004, diferencat mes 4 herë kampionëve të Evropës dhe bluve të Londrës nuk janë të mëdha.

Kështu, nëse 25 lojtarët e Roberto Di Mateos do të shiteshin sot, bosit rus do t’i ktheheshin mbrapsht 381 milionë euro nga shpenzimi i tij prej 1.1 miliardë eurosh në këto 8 vjet. Por, yjet e gjermanëve nuk mbeten pas. Ata kushtojnë vetëm 21 milionë euro më pak (360 milionë euro në total).

Sipas “transfermarkt.de”, lojtarët më të shtrenjtë të Bayernit janë Frank Ribery dhe Mario Gomez. Kartoni i fantazistit francez dhe bomberit gjerman deri më 18 maj (24 orë përpara finales) kushtonte 42 milionë euro. Ndërkohë që lojtari më i lirë nga 11-shja titullare e Jup Hejnkesit është Kontento (2 milionë euro), me shumë gjasa titullar sot në vend të Alabës së pezulluar në krahun e majtë të mbrojtjes.

Si për ironi të fatit, nga skuadra londineze vlen më shumë kartoni i Fernando Torres, edhe pse nuk ka shkëlqyer në “Stamford Bridge”. Por, nëse për ta blerë nga Liverpool janarin e dy viteve më parë Chelseat iu deshën 58 milionë euro, sot këmbët e “El Ninos” vlejnë 35 milionë euro.

Nga ana tjetër, pikërisht lojtari i vetëm që ka fituar Champions-in, Hose Bosingwa, është edhe lojtari më i lirë i titullarëve anglezë (6.5 milionë euro).

Po t’u hedhim një sy më të detajuar shifrave, rezulton se 26.2 vjeç është mosha mesatare e skuadrës së Bayernit dhe 27.7 ajo e Chelsea. Nëse të zotët e shtëpisë kanë 14 lojtarë gjermanë në skuadër, Chelsea ka vetëm 5 angleze. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2012, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori