Befason Bonucci: Kualifikimi nuk ishte vetëm i Ronaldos
Pas hedhjes së shortit të Champions League, mbrojtësi Leonardo Bonucci ka dhënë një intervistë për "Sky Italia". Ai u shpreh se nuk ka më ndeshje të lehta dhe kujton faktin se Ajax, rivali i ardhshëm i Juventusit në Champions, eliminoi kampionët në fuqi të Real Madrid. "Është një ndeshje që të karikon për më shumë. Ajax është një ekip dinamik, me djem të rinj që vrapojnë shumë dhe me futbollistë të talentuar”, tha Bonucci.

Duke u rikthyer te fitorja 3-0 ndaj Atletico Madrid, ku sulmuesi Cristiano Ronaldo realizoi të tri golat, mbrojtësi juventin thotë: "Unë e urova, ishte një alien në atë ndeshje. Gjithsesi, nuk ishte vetëm meritë e tij, pasi e gjithë skuadra bëri një ndeshje të përkryer. Çdo element dha kontributin e tij në fushë, më të mirën në atë ndeshje dhe Cristiano e di këtë. Kjo u pa edhe te festimet e lojtarëve që nuk luajtën në atë ndeshje", u shpreh Bonucci.

Duke folur për të ardhmen, mbrojtësi i ardhur në merkaton e verës nga Milani, ku luajti vetëm një sezon, tha: “Pas asaj fitore të martën jemi më të karikuar dhe të vetëdijshëm se mund të arrijmë deri në fund. Jemi një ekip agresiv, që bën presing në fushë dhe që mund të shkojë larg. Tani duam fitoren ndaj Genoa, që në fazën e parë na mori barazimin në fushën tonë, ndaj shkojmë aty për 3 pikët", tha Leonardo Bonucci.
Shtuar më 15/03/2019, ora 16:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori