Befason Luis Enrique: Atletico, favoriti kryesor
Pëlqej
Tekniku i Barcelonës Luis Enrique befasoi në konferencën për shtyp në prag të sfidës së parë të kampionatit me Elchen, teksa u shpreh së favoritja kryesore për ta fituar titullin në Primera Division është Atletico Madrid.

"Atletico Madrid është skuadra kampione në fuqi e Spanjës dhe për këtë arsye e nis garën si favoritja kryesore për titullin. Reali mbetet rivali i përjetshëm i Barcelonës dhe është përforcuar shumë. Do të jetë një kampionat i vështirë, por shumë tërheqës, sepse do të ketë shumë rivalitet", u shpreh tekniku asturian.

Lionel Messi pritet të jetë sërish lideri i padiskutueshëm i Barcelonës, por Luis Enrique nuk dëshiron ta vërë nën presion yllin argjentinas.

"Leo do ta nisë sezonin në kushte optimale dhe me shumë pretendime. Më pëlqen të kem në dispozicion më të mirët dhe në kohë të plotë, por sezoni është i gjatë dhe mund të ketë të papritura. Prandaj nuk mund të themi tani se cfarë mund të ndodhë në të ardhmen", vijoi Luis Enrique.

Përsa i përket formacionit Enrique ka dyshimet e tij mbi 11-shen titullare, pasi Neymar dhe Pedro nuk janë në formën më të mirë fizike.

"Nuk mund të them me siguri nëse Neymar do të luajë. Gjendjen e tij do ta vlerësojmë në momentin e fundit. Edhe Pedro është stërvitur bashkë me grupin ndaj në princip i llogaris të dy për ndeshjen me Elchen", tha tekniku i Barcelonës.

I pyetur sesi e priste El Classicon me Real Madrid, trajneri i katalanasve u shpreh se mendon vetëm për të tashmen, pra të marrë maksimumin e pikëve ndaj Elches. /albeu.com/
Shtuar më 23/08/2014, ora 16:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori