Befason trajneri i Dortmund: Shkallët bosh, plus për lojtarët e mi
Ndalesa e gjatë prej më shumë se 2 muajsh për shkak të pandemisë COVID-19 nuk frenoi hovin e Borussias së Dortmundit që e rinisi sezonin me marshin e 7-të. Verdhezinjtë pas fitores së thellë në derbin e Ruhrit ndaj Schalke 04, morën një tjetër fitore të pastër në javën e 27-të të Bundesligës, 0-2 në fushën e Wolfsburg me golat e dy anësorëve Guerriero dhe Hakimi.

Kjo ishte fitorja e 6-të radhazi në kampionat për Borussian që duket se është gati për klasiken e së martës ndaj Bayern Munich që do të vendosë shumë në garën për titull pasi diferenca mes tyre në renditje është vetëm 4 pikë.

Mungesa e tifozëve nuk është aspak problem për Dortmundin kjo për faktin se verdhezinjtë kanë shumë lojtarë të rinj në moshë në skuadër dhe kur luajnë me tifozë gjithmonë e ndjenë presionin që ushtrojnë fansat, të paktën kështu u shpreh trajneri i Borussias Lucien Favre pas sfidës së fituar ndaj Wolfsburgut. Zvicerani befasoi me komentin e tij, duke deklaruar se futbollistët ndihen më mirë me shkallët bosh.

"E shfaqëm që në fillim të ndeshjes dëshirën e madhe për të fituar ndeshjen dhe e merituam plotësisht. Më pëlqeu shumë pjesa e parë, e menaxhuam shumë mirë. Mungesa e tifozëve? Më mirë kështu, lojtarët nuk kanë presion dhe ndihen më mirë", deklaroi Favre.
Shtuar më 24/05/2020, ora 10:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori