Behrami e do vetëm Fiorentinën
Valon Behrami
Për herë të parë, Valon Behrami edhe vetë e ka konfirmuar dëshirën e tij për t'u larguar nga West Ham United dhe për t'iu bashkuar Fiorentinës. Palët ishin shumë afër arritjes së marrëveshjes, por në fund dështoi gjithçka, pasi oferta dhe kërkesa ishin larg njëra-tjetrës. Mirëpo, 25 vjeçari e ka një fije shprese që të rikthehet në futbollin italian, ku luajti për disa vite në Verona e Lazio.

“Nëse do të shkoj në Firenze? Pyetje e mirë. Jam paksa i zhgënjyer sepse nga kjo situatë kuptoj shumë pak. Dukej një punë e kryer dhe tash... Për momentin, transferimi im në Firenze nuk është i qartë. Mund t’ju them se kam bërë gjithçka për të shkuar në Firenze. Nesër është një ditë tjetër, një ditë e re, të shohim se çka do të ndodhë”, shprehet përfaqësuesi zviceran për ueb faqen violanews.it.

Drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Corvino, nuk e ka fshehur dëshirën e klubit Viola për ta transferuar futbollistin e krahut, i cili do të përshtatej mjaft mirë në sistemin e ri të trajnerit Sinisa Mihajlovic.

“Është një lojtar i dobishëm, mund të vendoset si në mesfushë me tre lojtarë, ashtu edhe në krah, në mbrojtje dhe në mesfushë. Mirëpo, marrëveshja nuk është arritur ende”, tha Corvino.

Ndërkohë, duket se edhe zyrtarët e West Hamit kanë vendosur që ta shesin futbollistin mitrovicas. Klubi londinez, i cili e transferoi Behramin në vitin 2008 nga Lazio, është lodhur me lëndimet e shpeshta të lojtarit, i cili është i përmalluar të kthehet në Itali, ku e pret familja e ngushtë.

“Lojtari thotë se është i përmalluar për Italinë. Kemi një problem real, pasi futbollistit i mungon bashkëshortja dhe vajza, të cilat e kanë lënë Londrën për t’u kthyer në Itali. Ai gjithashtu ishte i lënduar. Kemi 25 futbollistë në skuadër dhe nëse ai vazhdon të jetë i lënduar, më mirë do të ishte që mos ta mbajmë, më mirë është që ta shesim tash”, tha një burim brenda klubit londinez.

Mirëpo, ky burim tregon se Behrami do të shitet vetëm nëse West Ham merr një ofertë të arsyeshme. “Oferta e parë e Fiorentinës ishte 2 milionë euro. Flitet se ne kërkojmë 10 milionë funte, por kjo nuk ka të bëjë me realitetin. Për një ofertë më të mirë, karshi asaj të parës do të vendosnim ndryshe”, shtoi ky burim.

West Ham e ka refuzuar ofertën e parë të klubit Viola, duke e konsideruar si shumë të ulët. Tash pritet që klubi nga Firenze ta rrisë ofertën dhe palët ta gjejnë gjuhën e përbashkët për rikthimin e Behramit në Serie A. (express)
Shtuar më 20/01/2011, ora 13:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori