Berbatov: Mund të mbetemi të pamposhtur
Dimitar Berbatov beson se Manchester United mund të përfundojë sezonin pa humbje. Djajtë e Kuq janë të pamposhtur pas 23 ndeshjeve të këtij edicioni dhe udhëheqin në Premierligë me pesë pikë. Ata ende duhet të zhvillojnë edhe disa ndeshje të vështira, por kanë shtuar besimin se mund të kalojnë sezonin pa pësuar disfatë. Berbatov nuk sheh arsye pse ekipi të mos e arrijë këtë objektiv, ndërsa beson se ata mund të luajnë edhe më mirë.

“Më kujtohet Arsenali që fitoi titullin pa pësuar asnjë humbje dhe ishte seri e shkëlqyeshme. Por, besoj se mund ta bëjmë edhe ne. E dimë se na presin disa vështirësi me ndeshjet në udhëtim, por besoj se mund të përfundojmë sezonin pa pësuar asnjë humbje të vetme”, tha Berbatov për Sky Sports News.

Berbatov ka udhëhequr Manchester Unitedin këtë sezon, duke shënuar 19 gola në Premierligë dhe është i lumtur me shkallën e paraqitjeve të tij pasi kishte zgjuar kritika të shumta në fillim të karrierës së tij në Old Trafford.

“Gjërat janë duke shkuar shumë mirë për mua, por nuk mendoj se ka ndryshuar diçka në përgjithësi. Ndoshta kam shënuar më tepër gola sepse luaj më përpara”, përfundoi ai.
Shtuar më 31/01/2011, ora 12:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori