"Berlusconi e ka pikë të dobët Torresin"
Pëlqej
Fitorja në javën e parë të kampionatit ndaj Lazios, ka shtuar së tepërmi optimizmin në shtëpinë e Milanit. Këtë të Premte kuqezinjtë u vizituan edhe nga presidenti Silvio Berlusconi. Prezenca e numrit 1 të Milanit në "Milanello" ishte e treta në pak ditë. 77-vjeçari pasi përgëzoi skuadrën për paraqitjen në sfidën e parë ndaj Lazios u bëri të ditur futbollistëve se janë në rrugë të mbarë dhe nëse vazhdojnë kështu përveçse do të risjellin tifozët në stadium mund të arrijnë edhe te suksesi.

Për vizitën e Presidentit foli edhe Administratori i Deleguar i Milanit. Sipas Adriano Gallianit vizitat e shpeshta të Berlusconit i bëjnë mirë skuadrës.

"Vizitat e Presidentit e motivojnë shumë ekipin. Ai sjell ide të reja por jo fat pasi për të patur fat në radhë të parë duhet të punojmë fort. Një gjë është e sigurt, se Presidenti na ka premtuar se do të jetë këtu në Milanello çdo të premte", tha numri dy i "Djallit".

Galliani më pas zbuloi se vizita e Berlusconit në "Milanello" ishte më tepër për të përshëndetur blerjet e reja. Sipas 70-vjeçarit nga Monza, presidenti e ka pikë të dobët sulmuesin Fernando Torres.

"Torres është një lojtar fantastik dhe presidenti e di shumë mirë këtë gjë. Të gjithë jemi të bindur se ai do të bëjë gjëra të mëdha te Milani, i njëjti diskutim vlen edhe për Bonaventuran. Në ditën e fundit të merkatos kanë ardhur pikërisht ata të dy si dhe Van Ginkel ndërkohë që janë larguar Gabriel dhe Cristante. Siç e tha edhe Inzaghi mendoj se jemi përforcuar", përfundoi Galliani. /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2014, ora 09:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori