Berlusconi përgatit Revolucionin Kuq e Zi (FOTO LAJM)

Andriy Shevchenko
Sesi do të jetë e ardhmja e këtij sezoni për Milanin askush nuk e di, pasi kjo varet nga ndeshja e nesërme kundër Barcelonës. Por, edhe pse kjo çerekfinale e Ligës së Kampioneve mund të duket thjesht një 90-minutësh më shumë në këtë sezon, e vërteta është që prapa saj fshihen jo pak “sakrifikime”, qoftë në njerëz dhe në financa.

Ky takim i madh dhe spektakolar që do të luhet në legjendarin “Camp Nou” mund të presë jo pak koka te Milani, sepse Silvio Berlusconi nuk është një person që kënaqet vetëm me pjesëmarrjen, por kërkon të fitojë. Ai që rrezikon mbi të gjithë është trajneri Allegri dhe, jo më kot, media vazhdon të këmbëngulë mbi debatet e tij të shpeshta me presidentin.

Sipas disa burimeve të sigurta të së përditshmes “Corriere dello Sport”, ish-kryeministri i Italisë ka gati një plan për të rikthyer një Milan fantastik, si ai i viteve ’90 që dominonte në glob, por për të do jenë të shumta sakrificat. Të gjitha rikthimet e Berlusconit kanë qenë të bujshme dhe si gjithmonë ato do të fillojnë nga pankina, stafi drejtues dhe në fund lojtarët.

Ja cila janë hapat e planit të presidentit të Milanit:

1- Mospajtimet e Berlusconit me strategjitë e trajnerit dhe stilin e tij të udhëheqjes së skuadrës kujtojnë epokën e “Leonardos”, i cili u largua vetëm pas një viti nga kuqezinjtë. Alegri vërtet ka fituar dy trofe në vitin e tij të parë dhe sivjet mund të konfirmohet sërish kampion i Italisë, por për një si Berluskoni vetëm kampionati nuk mjafton, ndaj trajneri aktual mund të bëjë gati valixhet këtë verë. Miliarderi italian beson se Milani i tij mund të jetë një Barcelonë e re, ndonëse në përbërje nuk ka një Messi apo një Xavi, por kjo nuk do të thotë se edhe me lojtarë si Ibra, skuadra nuk mund të jetë në nivelin e katalanasve. Vërtet tani të gjithë çmojnë dhe vlerësojnë punën e Guardiolës, por Barcelona e madhe i hodhi themelet e saj me një ish-ikonë të Milanit në pankinë, Frank Rijkaard, i cili e riktheu të madh këtë klub që nuk fitonte që nga koha e Johan Cruyff. Ndaj, nëse Guardiola i shtoi vlerat një skuadre kampione Evrope, Rijkaard ish-skulptori i kësaj mrekullie, pritet që metodat e tij të vihen në punë te Milani, sepse dyshohet që këtë verë do të jetë pikërisht trajneri holandez pasardhësi i Allegrit në pankinën kuqezi.

2- Rikthimi i yjeve. Plani i Berlusconit duket magjepsës dhe tifozët e parë që kanë dëgjuar për këtë kanë filluar të ngazëllehen nga perspektiva e skuadrës së tyre të zemrës. Në fakt, ideja duket të jetë tepër joshëse, bashkimi i yjeve të dy periudhave për të sjellë një periudhë të tretë të artë te Milani. Kush tjetër përveç Paolo Maldinit mund t’u rikthejë identitetin kuqezinjve.

Ish-kapiteni legjendar pritet të marrë një rol udhëheqës në skuadër, por pozitën e tij, Maldini pritet ta ndajë me njërin nga të preferuarit e Berluskonit, i cili është Andriy Shevchenko. Problemet e tij me kombëtaren ukrainase mund ta lënë jashtë Euro 2012- ës. Sheva është në hapat e fundit të karrierës dhe, për më shumë, ka refuzuar një transferim të mundshëm në kampionatin amerikan për të mbyllur karrierën.

3- Rinovimi i grupit. Me Frank Rijkaard në stol pritet firmosja e pensioneve për Nestën, Ambrosinin, Seedorf, Zambrotën, Gatusso, Inzaghi, por edhe për ndonjë tjetër. Pritet të shiten Bonera, Antonini dhe Nocerino, të cilët do të përbënin një qyp me miliona për Milanin kundrejt qindarkave që klubi ka shpenzuar për blerje e tyre.

Nga skuadra do të largohet edhe Robinho, i cili duket i projektuar më shumë drejt Atletikos së Madridit sesa një rikthimi të mundshëm në vendlindje. Por akoma më bombastik është fakti që edhe “dhëndri” i Berluskonit, Alexandre Pato, do t’i japë lamtumirën “Milanellos”. Presidenti nuk mund të paguajë më kot për një lojtar që e kalon sezonin në infermieri, por në ditët e fundit, në një nga vizitat e tij në qendrën stërvitore, e ka urdhëruar Gallianin që ta shesë atë te PSG-ja.

Me paratë që pritet të fitojë nga këto largime, Kavalieri është gati të investojë tek të rinj premtues, të zgjedhur nga vetë ai. Për sulmin, objektivi nuk është më Carlos Tevez, por Mario Balotelli, si dhe talenti më i ri spanjoll i Athletic Bilbaos, Iker Muniain, me të cilin kanë nisur kontaktet e para. Ndërkaq, në mesfushë priten lojtarë kalibri si Montolivo i Fiorentinës, Eriksen i Ajax dhe De Jong i City, kurse mbrojtja do të blindohet me Vertonghen të Ajax.
Shtuar më 02/04/2012, ora 14:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori