Bërryli ndaj Alabas, Ibra: Më dënoni me 40 ndeshje (VIDEO)
Zlatan Ibrahimoviç e gjen gjithmonë mënyrën që flitet për të. Edhe pse këtë herë ka gjetur atë më të keqen. Në minutën e 20 të ndeshjes eliminatore për Euro 2016 mes Austrisë dhe Suedisë, sulmuesi i Paris Saint Germain goditi me bërryll kundërshtarin e tij David Alaba, me lojtarin e Bayern Munchen që u shtri menjëherë përtokë. Në ato momente sfida ishte e mbërthyer me shifrat 1-1 rezultat ky që mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit, me Ibrën që dha asistin e golit të barazimit të Suedisë, që u shënua nga Zengin.

Zlatan vinte në këtë ndeshje pas dopietës në miqësoren me Estoninë, dy gola të cilët e shndërruan atë në shënuesin më të mirë të gjitha kohrave në kombëtares nordike. Ndaj Austrisë 32-vjeçari edhe pse ishte në kërkim të 3 pikëve për të ndihmuar skuadrën e tij ti niste mbarë eliminatoret, nuk i gjeti dot ato por gjeti fytyrën e Alabas.

Për pak çaste bomberi suedez humbi kontrollin duke bërë një gjest aspak të hijshëm që nuk u vu re nga arbitri kryesor, edhe pse duhet pranuar se ish sulmuesi i Milanit, Barcelonës dhe Interit po përpiqej të mbronte topin por gjithsesi goditja me bërryl që i dha Alabas nuk është e pranueshme për një lojtar me eksperiencë të madhe si Ibrahimoviç.

Në fund të sfidës Alaba autori i golit për Austrinë në këtë takim dhe i dëmtuari i madh nga ky gjest i 32-vjecarit nuk kërkoi të polemizonte duke shmangur cdo deklaratë të mundshme, ndërkohë që vetë Zlatan në sallën konferencave për shtyp me ironi u shpreh: "Më dënoni me 40 ndeshje skualifikim".

Por dënimin Ibra mund ta marrë nga prova televizive edhe pse jo aq të ekzagjeruar sa e kërkon sulmuesi i Paris Saint Germain në shaka e sipër. /albeu.con/
Shtuar më 09/09/2014, ora 16:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori