Besart Berisha rikthehet në Kombëtare
Besart Berisha do të rikthehet në përfaqësuesen shqiptare për ndeshjet eleminatore të Brazil 2014. Ish-sulmuesi kuqezi ka impresionuar trajnerin e ri të Kombëtares, Gianni De Biasi. Ky i fundit do t’i ofrojë një vend në skuadër duke filluar nga ndeshjet eleminatore të kampionatit botëror Brazil 2014, ndeshje që nisin në muajin shtator.

Tekniku e ka ndjekur futbollistin nëpërmjet TV-së në ndeshjet e Brisbane Roar në kampionatin Australian të futbollit, aty ku Berisha është kryegolashënues me 17 golat e tij. Sulmuesi pritet të thirret që në ndeshjet miqësore të muajit maj, nëse Shqipëria do të arrijë të realizojë ndonjë të tillë. Aktualisht, FSHF është në bisedime me ekipe kombëtare të mëdha si Spanja, Italia, apo Franca. Ajo synon të realizojë dy takime në një afat kohor të shkurtër.

“Në të gjitha rastet, Berisha do të jetë në shtator, gjithmonë nëse arrin të ruajë këtë formë. De Biasi e ka pëlqyer shumë dhe kërkon që ta ketë në grumbullime. Ai është i vetdijshëm që futbollisti do të duhet të bëjë një udhëtim shumë të gjatë nga Australia, por në rastet kur ka dy ndeshje rradhazi dhe grumbullimi zgjat 10 ditë, nuk do të ndikojë në performancën e lojtarit”, thanë dje burime pranë trajnerit kuqezi.

De Biasi pritet të flasë me vetë futbollistin për ta informuar për planet e tij. Vetë Berisha nuk është më i bindur që të kthehet në Kombëtare, për shkak të largësisë dhe kohëzgjatjes së udhëtimeve (që bashkë me koincidencat ajrore mund të jenë deri në 24 orë). /albeu.com/
Shtuar më 10/03/2012, ora 18:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori