Besian Idrizaj, gati per Kombetaren e Shqiperise
Albeu.com
Më në fund ëndrra e Besian Idrizajt për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare duket se do të bëhet realitet. Këtë e konfirmon vetë sulmuesi i Swansea Cityt, i cili theksoi se është plotësisht gati dhe i privilegjuar për këtë mundësi që i jepet.
Tashmë çdo gjë varet vetëm nga drejtuesit e FSHF-së. Idrizaj tregon kontaktin e parë me njerëz të afërt të tij, që kanë marrë përsipër vendosjen e kontakteve zyrtare me FSHF-në.

“Ditë më parë, një menaxher shqiptar, që e ushtron aktivitetin e tij edhe këtu në Angli, i cili, mesa mora vesh, kishte lidhje me Federatën Shqiptare të Futbollit, ka kontaktuar bashkëlojtarin tim Shefki Kuqin. Më pas ka qenë pikërisht Kuqi ai që ka ndërmjetësuar që unë dhe menaxheri të bisedojmë. Në bisedën që patëm, ai më ka thënë se Shqipëria ka interes për mua, gjë që ia kishte pohuar me gojën e vet trajneri Josip Kuzhe. Për këtë jam shumë i lumtur. Është ëndërr e imja e kamotshme për të veshur fanellën kuqezi. Gjithsesi, përveç menaxherit dhe Shefki Kuqit, as trajneri Kuzhe dhe askush tjetër nga FSHF-ja nuk më ka kontaktuar ende”, rrëfen Idrizaj për “Sport” në Kosovë dhe “Sporti Shqiptar” në Shqipëri.

22-vjeçari shtoi se ka mbetur i befasuar për mundësinë e veshjes së fanellës së Shqipërisë, pasi deri më tani është paraqitur të luajë për kombëtaren U-21 të Austrisë. Ai kishte menduar se nuk ka të drejtë të përfaqësojë një kombëtare tjetër, qoftë ajo edhe Shqipëria.
Shtuar më 07/05/2010, ora 20:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori