Biznesmenet ofrojne miliona për “Bashkimin” nga Kumanova
Pëlqej
Albeu.com
Biznesmenë të ndryshëm nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria kanë shprehur interesim për ta blerë KF "Bashkimi" nga Kumanova, i cili konsiderohet klubi më i suksesshëm shqiptar në Maqedoni.Ofertat e afaristëve shqiptarë kanë pasuar menjëherë pas interesimit të anglezit Michael Williams, me të cilin pronari Lutfi Hyda nuk u pajtua për shumën e kontratës. Një informacion për interesimin e vazhdueshëm të biznesmenëve të ndryshëm për ta blerë "Bashkimin" e ka pohuar edhe kreu i kumanovarëve, Hyda. "Është e vërtetë se ka biznesmenë të interesuar që duan ta blejnë Bashkimin.
Tash për tash, publikisht nuk mund të them asgjë, ngase jemi në fazën e bisedimeve preliminare. Ju e dini se edhe më herët për Bashkimin ka pasur të interesuar, por nuk kemi arritur ndonjë gjuhë të përbashkët", tha illimisht për "Lajm" pronari Lutfi Hyda.
Ai ua rikujton të interesuarve se klubi të cilin e drejton ka vlera dhe rezultate kulminante në historinë e futbollit shqiptar në Maqedoni. "Ne kemi histori, të cilën e kemi shkruar me punë, sakrifica, përpjekje dhe rezultate superiore në futbollin e Maqedonisë. Jemi klubi i vetëm shqiptar që kemi fituar një nga trofetë më të mëdhenj në Maqedoni, atë të Kupës së Maqedonisë. Gjatë çdo stinori kemi qenë faktorë në tabelën e Ligës së Parë. Thjesht, Bashkimi është sinonim i të gjithë shqiptarëve kudo që janë", tha Hyda.
Sipas disa burimeve të gazetës "Lajm", më i interesuar dhe afër për ta blerë
"Bashkimin" është edhe një biznesmen i pasur nga Kosova.
"Bashkimi", i themeluar në vitin 1947, gjatë historisë së tij ka arritur të shënojë suksese të mëdha. Kulmi i sukseseve të "zigjelbërve" është arritur në sezonin 2004/'05, me marrjen e Kupës së Maqedonisë dhe pjesëmarrja në Kupën UEFA.
nga Reshat Ibrahimi, Lajm
Shtuar më 14/11/2007, ora 16:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori